Një regjistrim audio në të cilin dëgjohet ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ndërsa akuzon Gardën Revolucionare se dominon politikën e jashtme të vendit po bën xhiron e rrjetit dhe ka sjellë një reagim të ashpër në vend.
Kryediplomati iranian, Mohammad Javad Zarif, është në një moment të sikletshëm pas publikimit të një bisede të tij me një gazetar, të cilit i thotë se Garda Revolucionare elite kishte më shumë ndikim në punët e jashtme dhe dosjen bërthamore të vendit sesa ai. Ky detaj nxjerr në pah natyrën e lidhjes që ka qeveria iraniane me Gardën Revolucionare.
Marrëdhëniet midis qeverisë së Presidentit pragmatist Hassan Rouhani dhe Gardës janë të rëndësishme sepse ndikimi i forcës paraushtarake të linjës së ashpër është aq i madh sa që mund të prishë çdo afrim me Perëndimin nëse ndien se kjo do të rrezikonte interesat e saj ekonomikë dhe politikë.
Skepticizmi tradicional i Gardës për çdo kultivim të ulje të tensionit me Uashingtonin mund të bëhet i rëndësishëm nëse bisedimet midis Iranit dhe fuqive botërore ecin në drejtim të rikthimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila SHBA u tërhoq nën presidencën e Trump-it.
Në intervistën e transmetuar nga kanali i lajmeve në gjuhën perse me bazë në Londër, mbrëmjen e së dielës, ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif tha se ai kishte ndikim “zero” mbi politikën e jashtme të Iranit.
“Unë kurrë nuk kam qenë në gjendje t’i them një komandanti ushtarak të bëjë diçka në mënyrë që të ndihmojë diplomacinë”, citohet Zarif nga Reuters.
Pa diskutuar vërtetësinë e audios, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të hënën tha se kanali i lajmeve publikoi vetëm pjesë të intervistës shtatë orëshe me ministrin e Jashtëm. Duke përdorur një gjuhë të rrallë në politikën e Iranit, Zarif ankohet për shkallën e ndikimit që komandanti i ndjerë i IRGC-së, Qassem Soleimani, kishte mbi politikën e jashtme, duke lënë të kuptohet se Soleimani u përpoq të prishte marrëveshjen bërthamore të Iranit 2015 duke bashkëpunuar me Rusinë.
“Ai (Soleimani) më kërkoi të bëja këtë apo atë lëshim pothuajse sa herë që shkoja për të negociuar (me fuqitë botërore). Suksesi i fushës (ushtarake) ishte më i rëndësishëm sesa suksesi i diplomacisë. Unë isha duke negociuar për suksesin e fushës (ushtarake)”, thotë Zarif.
Udhëheqësi i Forcës klandestine të Gardës jashtë Kudsit, Soleimani ishte një figurë thelbësore që ndërtoi rrjetin iranian të ushtrive të përfaqësuara në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai u vra në një sulm me dron amerikan në Irak vitin e kaluar.
Irani u kundërpërgjigj me një sulm me raketa në një bazë ajrore irakiane ku ishin vendosur forcat amerikane. Disa orë më vonë, forcat iraniane rrëzuan një avion ukrainas me pasagjerë që po ngrihej nga Teherani. Ditë më vonë, Gardat e Iranit pranuan se aeroplani ishte qëlluar “gabimisht”.
“Unë thashë (në takimin Suprem të Sigurisë Kombëtare) se bota po thotë që aeroplani u godit me raketa. Nëse aeroplani u godit me të vërtetë me raketa, na tregoni që të shohim si mund ta rregullojmë“, thotë Zarif në regjistrim.
“Ata më thanë: ‘jo, bëj një postim në Tuiter dhe mohoje”.
Edhe pse Zarif ka thënë se nuk ka ndërmend të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Iranit më 18 qershor, disa kritikë thonë se komentet e Zarif synojnë votën e iranianëve të zhgënjyer nga ekonomia e bllokuar dhe mungesa e lirive politike dhe shoqërore. Emri i tij është propozuar nga të moderuarit si kandidat i mundshëm për zgjedhjet, në të cilat garojnë edhe disa komandantë të shquar të Gardës. Zarif ka thënë se ai nuk është një kandidat për të pasuar presidentin Hassan Rouhani, por ekstremistët nuk i besojnë atij dhe duan të eliminojnë çdo shans që kjo gjë të ndodhë.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) u krijuan pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 për të mbrojtur sistemin qeverisës klerik Shiit dhe vlerat revolucionare. Ato i japin llogari Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.