Bota Politologu i njohur amerikan: Putini nuk është kaq i vetmuar sa mendojmë

Politologu i njohur amerikan: Putini nuk është kaq i vetmuar sa mendojmë

Giuseppe Sarcina – Corriere

Arma bërthamore? “Po, mund të ndodhë, por s’do të përdoret për të mposhtur Ukrainën”. Zgjidhje diplomatike? “Duket e vështirë për momentin, Putini nuk do të negociojë seriozisht deri sa të marrë Kievin”. Vali Nasr është një ndër ekspertët më të njohur amerikanë në marrëdhëniet ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë në Lindjen e Mesme. Mes detyrave të shumta, Nasr jep mësim edhe në “Johns Hopkins University”.

Lufta në Ukrainë po bëhet gjithmonë e më e dhunshme. Deri ku mund të shkojë Putini?

Parashikimet që Perëndimi ka bërë deri tani, rezultuan të gabuara. Më parë mendohej se Putini do të kënaqej vetëm me pushtimin e një pjese të Ukrainës. Pastaj që do të ndalej përballë kërcënimeve për sanksione drastike ekonomike. Por nuk ndodhi asgjë e tillë. Kam përshtypjen se do të ecë përpara deri sa të ketë marrë Kievin dhe të ketë pushtuar Ukrainën. Vetëm në atë pikë mund të hapte sërish negociatat.

Ai madje vuri në gjendje gatishmërie edhe arsenalin bërthamor. A do të ishte vërtetë i gatshëm ta përdorte?

Fatkeqësisht është një prej mundësive që janë hedhur në tryezë. Por përshtypja ime është se ky kërcënim nuk i drejtohet direkt Ukrainës. Putini nuk do të përdorte armë bërthamore për të shkatërruar një shtet që e konsideron ushtarakisht më të dobët. Do të ishte shenjë e madhe dobësie. Rusët do të përdorin artilierinë, avionët apo tanket, pra çdo gjë të tillë që shërben për të palosur rezistencën ukrainase. Paralajmërimi bërthamor i drejtohet Perëndimit, për ta bindur të heqë sanksionet.

Po flitet shumë për efikasitetin e shtrëngimeve që ka bërë BE dhe Shtetet e Bashkuara. Mendimi juaj?

Janë masa të rënda dhe që në afatgjatë do të kenë efektet e veta mbi ekonominë ruse. Por kujdes, sepse do të ketë kundërsulme edhe për europianët. Me luhatje të forta në tregun energjitik, ekonomitë europiane do të bien në recension.

Sa më i gjerë fronti ndërkombëtar që i zbaton, sanksionet do të jenë aq më shumë efektive. Në cilin drejtim duhet të vështrojmë?

Kjo është një pikë delikate ku duhen parë me vëmendje sjelljet e shumë shteteve. Përveç hezitimit të Kinës apo Indisë, shohim edhe reagimin e vendeve të Lindjes së Mesme. Deri më tani nuk ka pasur një mbështetje të gjerë ndaj sanksioneve në nivel botëror. Shtetet e Bashkuara dhe Europa pretendojnë se Rusia është krejtësisht e izoluar, por nuk është kështu. Mjaft të shohim edhe debatin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Janë në lojë interesa të rëndësishme ekonomike dhe po ju jap disa shembuj. 40% e tregtisë botërore të plehrave bëhet nga Rusia dhe Bjellorusia. Ose, nëse duam të ndryshojmë këndin e shikimit: Ukraina furnizon 50% të grurit në Lindjen e Mesme; 78% në Turqi, 70% në Egjipt. Të gjitha këto shtete mendojnë se Putini do të arrijë ta marrë kontrollin e Ukrainës dhe do të përdorë burimet e ndryshme, siç është gruri, për t’i shantazhuar. Shihni po ashtu Izraelin dhe Arabinë Saudite, aleatë kyç të Shteteve të Bashkuara, që në këtë fazë po ruajnë një pozicion shumë të kujdesshëm. Në duart e Putinit gjenden shumë letra me të cilat mund të luajë, nuk është vetëm gazi për Gjermaninë apo Italinë.

Nëse është kështu, Putini duket i pandalshëm…

Tani nuk ka shumë mundësi për ta ndalur, vetëm nëse europianët dhe amerikanët vendosin të ndërhyjnë ushtarakisht në Ukrainë. Perëndimi u kap në befasi. Nuk e di, ndoshta kjo luftë do t’i bindë europianët të organizohen më mirë, të krijojnë mekanizma të përbashkët mbrojtës për të parandaluar Moskën që të shtyjë ofensivën ushtarake përtej Ukrainës. Por për momentin Putini i ka të gjitha shanset për ta realizuar planin e tij ushtarak në Ukrainë.

A nuk ka ndonjë mundësi që presidenti rus të rrëzohet nga pushteti?

Kjo varet nga mënyra se si Putini e ka ndërtuar sistemin e tij mbrojtës. Më duket se ka shpenzuar shumë kohë dhe energji për të zgjedhur grupin e të besuarve të tij, në veçanti mes radhëve të ushtarakëve dhe të shërbimeve sekrete. Sigurisht, gjërat mund të përmbysen në çdo kohë nëse humb luftën në Ukrainë. Por duhet ta pranojmë se s’kemi asgjë të qartë. Ka shumë precedentë të diktatorëve të mbetur në pushtet edhe pas situatave të rënda: Sadami në Irak pas luftës së Gjirit; Asadi në Siri; Maduro në Venezuelë. Ose le të kujtojmë se çfarë i ndodhi princit Bin Salman në Arabinë Saudite: pas rastit Khashoggi dukej i marrë fund, por është ende aty.

Po nëse Putini arrin ta marrë Ukrainën, çfarë do të ndodhë?

Do të hapej një skenar edhe më i rrezikshëm. Jam i bindur se lideri rus është përgatitur edhe për të përballuar sanksionet, por ndoshta nuk e priste një valë kaq të fortë dhe të njëkohshme. Perëndimi po heq Rusinë nga tregjet financiare, po i ngrin 600 miliardë dollarë rezerva, po godet pasuritë e klasës udhëheqëse, po ndërmerr edhe masa me vlerë simbolike por me ndikim mbi opinionin publik planetar, siç ishte përjashtimi i Rusisë nga Kampionati Botëror i futbollit. Por pikërisht këtu e shoh rrezikun. Shumë shpejt sanksionet do ta japin ndikimin e rëndë mbi ekonominë ruse dhe stabilitetin e sistemit, dhe atëherë Putini mund të kërcënojë me një sulm bërthamor për t’i bindur europianët dhe amerikanët të tërheqin sanksionet.