Kulturë Polo Nexhipi, memalioti që me këngën e tij kushtuar vendlindjes, fitoi përjetësinë!

Polo Nexhipi, memalioti që me këngën e tij kushtuar vendlindjes, fitoi përjetësinë!

Nga Edmond Ismailati

Të gjithë jemi kalimtarë, por edhe me misione të ndryshme, në këtë jetë! Engjëllorë janë ata që bëjnë mirë, japin kontributin e tyre, pasi në sytë e Zotit, fitojnë jetën e përjetshme! Një nga këta është edhe bashkëqytetari ynë, Polo Nexhipi, i cili me këngën “Memaliaj”, të kënduar prej tij, i dhuroi përjetësi, jo vetëm emrit të tij, por edhe banorëve ndër breza të këtij qyteti, që i kanë dhënë dhe i japin jetë vendlindjes së memaliotëve, e cila është edhe e tij.

Të gjithë u hidhëruam më 9 janar 2921, për largimin e tij të parakohshëm! Ky hidhërim përshkoi, jo vetëm familjen e tij që kishte krijuar me memalioten, Rovena Zhupa dhe dy vajzat e tyre, Ester dhe Ori, prindërit, vëllezërit, të afërmit, kolegët, miqtë, të njohurit, bashkëqytetarët, por edhe të gjithë fansat e admiruesit e këngës popullore, që e kanë dëgjuar, mbështetur dhe janë argëtuar nëpërmjet interpretimeve të tij.

Ai ka kënduar nëpër sheshet kryesore të qyteteve Memaliaj dhe Tepelenë, programeve televizive, festave, trapezave ditëlindjesh, fejesash, martesash, pagëzimesh dhe koncerteve nëpër lokalet, jo vetëm të rrethit të Tepelenës, por edhe më gjerë!

Talenti që ai shpaloste me këngët e tij, e kanë bërë të mirënjohur, jo vetëm në jugun e vendit tonë, por edhe në diasporë, pasi kemi kërcyer me orë dhe netë të tëra, nëpër aktivitete dhe dasma, ku kam qenë i ftuar edhe unë me familjen time.

Nuk ka memaliot, të mos e mbaj mend Polon. Që në vegjëlinë e tij, mbahet mend për qetësin dhe ndrojtjen e sinqertë, buzëqeshjen e çiltër, djalë punëtor dhe i përkushtuar të ndihmonte familjen në çdo kohë. Gjithashtu, njihet si kavalier, zemërgjerë dhe i gjendur në çdo kohë për të ndihmuar edhe ata që nuk i njihte, nëse do i kërkonin ndihmë. Një djalë me norma në shoqëri, ku dinte të falte edhe pse kishte të drejtën e plotë, për të mos u dhënë një mundësi të dytë. Polon e mbaj mend, për një djalë të shkathët qysh nga vegjëlia e tij. Ashtu si çdo memaliot, ishte një peshkatar dhe notar shumë i mirë dhe eksplorues i Rivierës së Vjosës përgjatë rrjedhjes që pëqafon qytetin dhe me tej. Ai mbahet mend edhe për alegrinë dhe humorin e këndshëm dhe tipik memaliot!

Ai u lind dhe u rrit në një familje të respektuar memaliote, që kanë dhënë kontributin e tyre, që në fillimet e ndërtimit të qytetit. Babai i tij Sheme Nexhipi, ka punuar një jetë tërë në minierën e qymyrgurit të Memaliajt, ndërsa nëna e tij, Nuria, ka punuar në NFP-ë, pa harruar edhe kontributin e vëllezërve të tij, që kanë dhënë nëpër sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Si shumë memaliotë, edhe Polua ka kënduar në moshë të vogël me bashkëmoshatarët e tij dhe më vonë, nëpër serenatat buzë lumit Vjosë. Me kalimin e viteve, ai filloi të këndonte herë pas here, këngë të repertorëve të ndryshme edhe në krahë të këngëtarëve të tjerë të mirënjohur memaliotë, ku fitoi shumë shpejtë eksperienca që ndikuan ne formimin e individualitetit të tij të nivelit profesionist, të këngës popullore.

Të gjithë memaliotët u gëzuan, kur kengëtari i talentuar, Polo Nexhipi, u prezantua në publik me këngët e tij të parë, me titull “Memaliaj”. Kjo këngë e muzikës popullore, u postua prej tij në Youtube, më datën 1 qershor të vitit 2012 dhe u mirëprit nga të gjithë memaliotët dhe në gjerë. Autori i kësaj kënge, është poeti memaliot, Irfan Zhupa, dhe u këndua në Fest Folk, më 1 shkurt të vitit 2014, por me titull tjetër, të quajtur “Qyteti im”. Suksesin e radhës, e mori me këngën “Memaljotia”, me tekst të Irfan Zhupës dhe të orkestruar nga Vani Rushiti. Në repertorin e tij, u shtuan edhe këngët: “Nusja jonë“, “Bekimi i Zotit”, “Prindërit”,..etj.

Ai ka kënduar dhe bashkëpunuar, pothuajse me pjesën më të madhe të këngëtarëve dhe instrumentistëve tepelenas si: Flamur Cana, Bashkim Deshiku, Alket Zaimi, Asqeri Çunaj, Artan Xhaferi, Arqile Çunaj, Fatos Vrenozi, Alfred Ibrahimi, Eleni Myrtaj, Ervis Rapaj, Sokol Lulo, Ylli Baka, Arben Haxhia, Pluton Mema, Jonald Haxhia, Vani Rishiti, Arben Brahimi, Arian Çunaj, Mikel Rapaj, Renato Liçi, Kristi Çunaj, Adi Çelmeta, Elton Muçi, Valter Beqo, Veraldo Çunaj, …etj.

Përveç këngëve të muzikës popullore dhe asaj të lehtë, ai këndonte shumë bukur edhe këngë të polifonisë labe. Kjo e kishte frymëzuar të krijonte grupin polifonik, të pagëzuar “Memaliaj”, ku bënin pjesë edhe memaliotë të tjerë si: Vladimir Hysi, Sokol Metushi, Gramoz Caca, Krenarë Caca, Eri Nuka dhe Aleksandër Kola, të cilët këndonin shpesh në ditë festash, gëzimesh familjare dhe në ambiente të lokaleve ku ata mblidheshin për të kaluar kohën e lirë.

Dëshira e tij, ka qenë që, dashurinë për këngën, t’ia trashëgonte edhe dy vajzave të tij! Kjo ëndërr iu realizua tek vajza e madhe, Ester, e cila edhe pse shumë e vogël në moshë, i ka befasuar të gjithë me zërin e saj, kur këndoi duet, në një aktivitet kulturorë që organizoi Bashkia Memaliaj.

Emrin e Polo Nexhipit e dëgjojmë në këngën “Nënë Tepelenë, moj nënë”, të kënduar nga grupi “Djemtë e Vjosës”, me këngëtarët Alket Zaimi dhe Bashkim Deshiku, të cilët ja kanë dedikuar të gjithë këngëtarëve tepelenas, dëgjohet edhe fraza “..Jepi Polo memalioti..”

Polo Nexhipi, u largua fizikisht nga kjo jetë dhe do i mungojë, jo vetëm familjes së tij, të afërmve, miqve dhe shokëve, por gjithë bashkëqytetarëve! Me zërin e tij, ai u përjetësua, pasi na dhuroi një trashëgimi që do të këndohet ndër breza memaliotësh!

Prehu në Parajsë dhe në krahët e Zotit! Me zërin e shpirtit tënd, ti do të jesh mes nesh gjithmonë!