Kombëtarja shqiptare më 27 mars do të zhvillojë në Varshavë me Poloninë ndeshjen e saj të parë për eliminatoret e Europianit. Një kundërshtar, të cilin kuqezinjtë e kanë hasur edhe në eliminatoret e Botërorit të shkuar, kur u konsideruam të pafat, pasi u mundëm në të dyja takimet: 4-1 në Poloni dhe 0-1 në Tiranë, duke na hequr shpresat për një kualifikim të mundshëm për ‘play-off’-in e Botërorit.
Në pamje të parë, shifrat 4-1 në ndeshjen e 2 shtatorit e vitit 2021, po në Varshavë, tregojnë disnivel mes dy skuadrave, por për nga episodet, një penallti të mohuar, që u përfol gjatë dhe gjithçka që dha ekipi në atë takim, shumëkush është i bindur që rezultati nuk pasqyron disnivelin dhe atë çka skuadrat dhanë në atë 90-minutësh.
Pak muaj më pas, 3 ditë pas fitores së madhe në Hungari, një tjetër skuadër e rankuar më mirë në klasifikimin e FIFA-s, i dha shpresë kuqezinjve të Rejas asokohe, që mund të bënin diçka më tepër ndaj Polonisë në “Air Albania”, duke pasur parasysh edhe përballjen deri diku si të barabartë, pavarësisht rezultatit në Varshavë.
Po këtë herë ishte pandemia ajo që goditi ekipin e tonë kombëtar. Përpara kësaj sfide, 6 lojtarë pozitiv me Covid sollën një formacion emergjence, që gjithsesi u përball denjësisht, por zhgënjimin morëm sërish nga ai takim, me golin e pësuar në minutën e 77-të.
Megjithatë, me fat apo pa fat, kuqezinjtë regjistrojnë fitoren e tyre të parë dhe të fundit përballë kombëtares polake 70 vite më parë, më 29 nëntor 1953, me shifrat 2-0. Në ato vite kuqezinjtë përbëheshin nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe që kanë shkruar historinë dhe këtu mjafton të përmendim, dy autorët e golave: Loro Boriçi dhe Refik Resmja.
Gjithsej kuqezinjtë janë ndeshur 13 herë me Poloninë dhe kanë një bilanc negativ: me vetëm 1 fitore, 9 humbje dhe 3 barazime.
A do të mundemi këtë herë t’ia dalim ndaj polakëve? Sot kemi një trajner të ri, një brazilian pa eksperiencë në drejtimin e një ekipi kombëtar si trajner i parë, por me eksperiencë si ndihmës i një trajneri të madh brazilian, si Tite, ku së bashku, për 4 vite udhëhoqën kombëtaren më të suksesshme në botë, Brazilin.
Grinta, përkushtimi, puna dhe dëshira e madhe janë ato që karakterizojnë stafin e ri udhëheqës të kuqezinjve: Silvinjo, Zabaleta dhe Doriva, po a do të mjaftojnë këta për të fituar?
Sot braziliani nuk ka në dispozicion as gjysmën e ekipit më të mirë të fundit, që Edoardo Reja kishte. Mungojnë Gjimshiti, Ismajli, Bare, Broja vetëm nga 11-shi i formacionit, për të mos thënë që dy portierët më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha, që janë thuajse pa minuta fare në portë.
Strakosha, i transferuar nga Lacio te Brentford në Premier Ligë, ka luajtur vetëm 3 ndeshje dhe ato në kupë, apo e fundit në muajin janar. Berisha sot është jashtë skuadrës së Torinos, dhe jo vetëm që nuk ka luajtur.
Një situatë tejet e vështirë teorikisht për të thyer mallkimin 70-vjeçar të Polonisë, por e bukura e futbollit është pikërisht paparashikueshmëria dhe siç thotë trajneri brazilian, “e rëndësishme është që lojtarët që do të luajnë të japin shpirtin dhe zemrën në fushë, më pas rezultati vjen.”