Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar gjatë një konference për shtyp mbajtur në institucionin që ai drejton se pas rinumërimit të çdo vote të ligjshme do të ketë një tranzicion të butë drejt një administrate të dytë të Donald Trump.
“Do të ketë një tranzicion të butë drejt një administrate të dytë të Trump…Ne do të numërojmë të gjithë votat…”, tha Pompeo.
Aktualisht presidenti Trump ka kërkuar nisjen e hetimeve mbi shkeljet në zgjedhjet e fundit ku mori 71 milionë vota. Prokurori i Përgjithshëm William Barr dhe kreu i Senatit McConell kanë mbështetur Trump në të drejtën e tij për të kërkuar zbardhjen e së vërtetës. Nga ana tjetër ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, ka komentuar deklaratën e Pompeos si një mënyrë për t’u mbrojtur nga kritikat nga Shtëpia e Bardhë.
Pompeo njoftoi edhe një tur vizitash në shtatë vende aleate në Europë, Kaukaz dhe Lindjen e Mesme.
Pompeo ka në plan të vizitojë Francën, Turqinë, Gjeorgjinë, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite.
Ai do të takohet me një numër aleatësh që e kanë njohur të gjithë Joe Biden si president të zgjedhur.
Turi, i cili fillon të premten dhe përfundon më 23 nëntor, do të nisë nga Parisi, ku Pompeo do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili e uroi Biden për fitoren.
Pompeo më pas do të udhëtojë në Turqi dhe Gjeorgji përpara se të shkojë në Lindjen e Mesme, ku aleatët kryesorë të SHBA-së, Izraeli, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u rreshtuan të gjithë kundër Trump në njohjen e Biden si fituesin e zgjedhjeve të javës së kaluar.