Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ishte të martën në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, në vijim të një turneu që po zhvillon në disa vende evropiane.
Ai mbajti një konferencë për gazetarë, ku i paralajmëroi vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore t’i rezistojnë ndikimit të Kinës dhe Rusisë.
Pompeo përsëriti një paralajmërim që bëri në Budapest. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen t’i pakësojnë disa operacione në Europë dhe gjetkë, në se ato vende vazhdojnë të bëjnë biznes me kompaninë kineze të telekomunikacioneve Huawei, ngaqë Uashingtoni ka shqetësime për motivet e kësaj kompanie në Evropë, sidomos në vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, si dhe për pratikat e zhvillimit të biznesit prej saj.
Sekretari Pompeo tha se ka shpresa se një konferencë ndërkombëtare për Lindjen e Mesme që do të mbahet të mërkurën dhe të enjten në Varshavë, do të japë rezultate. Shefja e politkës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe disa ministra të jashtëm të vendeve europiane, përfshirë Rusinë, kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në konferencën “Ministeriali për nxitjen e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.”