Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vizitoi një vendbanim hebraik që ndodhen në atë pjesë të Bregut Perëndimor që kontrollohet nga Izraeli, vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në këtë territor.
Vizita pasoi njoftimin e një iniciative të re, për të ndaluar një lëvizje të udhëhequr nga palestinezët për të bojkotuar njohjet ndërkombëtare të Izraelit. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, të cilët nuk u lejuan ta shoqërojnë zotin Pompeo, se diplomati i lartë amerikan vizitoi një kantinë të verës në Psagot që ndodhet në dalje të Jeruzalemit.
Pompeo vizitoi të enjten Lartësitë Golan, një zonë që Izraeli e mori nën kontroll nga Siria gjatë luftës së vitit 1967.
“Njohja e saj si pjesë e Izraelit, ishte gjithashtu një vendim i Presidentit Trump, diçka me rëndësi historike dhe thjesht një njohje e realitetit”, tha Pompeo.
Izraeli ka ndërtuar shumë vendbanime në Bregun Perëndimor, territor që palestinezët kërkojnë të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i sheh vendbanimet si një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një pengesë në arritjen e një marrëveshje paqeje me palestinezët. Aneksimi nga ana e Izraelit i Lartësive Golan gjithashtu nuk është njohur ndërkombëtarisht. Trump nënshkroi vitin e kaluar një urdhër duke njohur sovranitetin e Izraelit mbi këtë territor. Më herët, Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara do ta cilësojnë lëvizjen që bën thirrje për bojkotimin e njohjeve ndërkombëtare të Izraelit, si anti-semitike.
Duke folur në Jeruzalem së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, zoti Pompeo tha se Departamenti i Shtetit do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të identifikuar dhe ndaluar financimin me fonde qeveritare të organizatave që e mbështesin këtë përpjekje.
Mbështetësit e lëvizjes për Bojkot, Zhvendosje e Saksione e cila udhëhiqet nga palestinezët, thonë se kjo është një formë proteste kundër pushtimit izraelit dhe është hartuar sipas modelit të bojkotit të viteve 1980 nëpërmjet të cilit i bëhej presion Afrikës së Jugut për t’i dhënë fund aparteidit. Organizatorët mohojnë se lëvizja për Bojkot, Zhvendosje e Saksione është anti-semitike. Autoritetet izraelite thotë se ajo ka si qëllim eleminimin e Izraelit.