Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u kërkoi aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, të fillojnë sa më shpejt bisedimet për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth kufijve detarë.
Greqia dhe Turqia, që janë përplasur për një sërë çështjesh, kanë ranë dakord të rifillojnë “në të ardhmen” bisedimet paraprake mbi pretendimet detare në Mesdheun lindor pas disa javë tensionesh, por nuk kanë njoftuar ndonjë datë.
“Shpresojmë që këto bisedime të mund të vazhdojnë në mënyrë serioze,” tha zoti Pompeo pasi u takua me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Kretë. “(Ne) i inkurajojmë ata të rifillojnë diskutimin e këtyre çështjeve sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Zoti Pompeo zhvilloi një vizitë dyditëshe në Greqi pas rritjes së tensioneve në rajon mbi burimet e energjisë.
Tensionet morën hov muajin e kaluar, pasi Ankaraja dërgoi anijen e saj të eksplorimit sizmik Oruc Reis në ujërat e diskutueshme, të shoqëruar nga anije luftarake, për të bërë studimin e zonës për shpime të mundshme nafte dhe gazi.
Turqia tashmë e ka tërhequr anijen, duke thënë se kjo do të lejonte diplomacinë të veprojë, përpara një samiti të Bashkimit Evropian më 1 dhe 2 tetor që do të trajtojë çështjen dhe sanksionet e mundshme kundër Ankarasë të kërkuara nga Qiproja, Greqia dhe Franca.
Sekretari Pompeo, i cili vizitoi gjithashtu Selanikun të hënën, tha se rajoni i Mesdheut lindor duhet të jetë një themel për sigurinë energjitike.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Greqisë për të diversifikuar rrugët dhe furnizimet me energji dhe se besonte në bashkëpunimin e sigurisë SHBA-Greqi. Ai shtoi se Rusia është një ndikim destabilizues në rajon./ VOA