Popullsia banuiese në Shqipëri ra me 0.2 për qind gjatë vitit 2018 në 2.87 milionë banorë, si pasojë e emigrimit të lartë dhe reduktimit të “shtesës natyrore”, bëri të ditur Instituti i Statistikave në vlerësimin e vet të publikuar të hënën.
Numri i lindjeve më 2017 ishte 30,869, shifra më e ulët e regjistruar në Shqipëri që nga vitet 1930 të shekullit të kaluar, kohë kur vendi filloi të mbajë statistika për lindjet dhe vdekjet. Në vitin 2016 pati 31,733 lindje ndërsa më 2015 lindën 33,221 shqiptarë.
Lindshmëria e shqiptarëve ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga vitet 1980, kur brenda një viti regjistroheshin 70-80 mijë lindje. Por shifrat e dy viteve të fundit janë edhe më të ulëta se sa periudha para Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria kishte vetëm 1 milionë banorë.
Rënia e lindjeve paralajmëron për një krizë demografike në dekadat e ardhshme, kur gjenerata e shqiptarëve të lindur në vitet 2010-2020 të hyjë në moshë pune dhe të detyrohet të paguajë pensionet e gjeneratave të mëparshme, të cilat janë shumë më të mëdha në numër. Por rënia e popullsisë në vitet e fundit është shkaktuar jo aq shumë nga rënia e lindjeve se sa nga emigrimi masiv i popullsisë së rritur. Sipas vlerësimit të INSTAT, gjatë vitit 2017 rreth 40 mijë vetë ikën nga Shqipëria ndërsa 25 mijë u kthyen, me një diferencë negative prej rreth 15 mijë personash. Këto shifra janë vetëm hamendësime dhe saktësia e tyre duhet të merret me rezerva.
INSTAT e vlerëson popullsinë banuese duke u nisur nga censusi i vitit 2011 dhe duke marrë parasysh lindjet, vdekjet dhe një vlerësim për flukset migratore të ndodhura që nga cencusi i fundit. Realiteti i flukseve migratore mund të jetë më i ulët ose më i lartë se sa vlerësimi.
Nëntë nga 12 qarqet e Shqipërisë pësuan rënie të popullsisë, ku Gjirokastra, Dibra e Berati pësuan rëniet më të mëdha. Popullsia e Qarkut Tiranë ka pësuar rritje në masën 25.1 për mijë banorë ndërsa Qarku i Durrësit u rrit me 16.9 për mijë banorë. Edhe Qarku i Vlorës njohu një rritje minimale prej 2.15 banorë për mijë.
Pas një përmirësimi të vockël gjatë viteve të mëparshme, raporti gjinor në lindje u përkeqësua sërish më 2017 në 110.5 djem për vajza. Shqipëria ka një problem të vazhdueshëm me numrin më të lartë të foshnjave meshkuj, gjë që sugjerohet se ndodh për shkak të abortit selektiv të vajzave. Gjendja natyrore e raportit meshkuj-femra në lindje është 105 djem për vajza ndërsa në Shqipëri që nga fillimi i viteve ’90 ky raport ka qenë 106-114 djem për vajza.
Mosha medianë e popullsisë shqiptare sipas vlerësimit të INSTAT në vitin e kaluar ishte 35 vjeç. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë është mbi këtë moshë dhe gjysma nën 35 vjeç. Pema e Popullsisë, grafiku që vendos në njërën anë meshkujt dhe në anën tjetër femrat sipas grupmoshave vijon të jetë në formën e njohur nga demografët si “molla e kafshuar” ku numri i fëmijëve është i ulët, pasuar nga një brez më i gjerë në moshat 20-30 vjeç që ngushtohet më tej në moshat 30-40 vjeç për shkak të “kafshimit” nga emigrimi masiv i të rinjve në vitet 1990 dhe që zgjerohet më tutje në moshat 50-65 vjeç.