Telashe të reja për Pornhub. Pas një investigimi të “New York Times” për videot e abuzimit seksual që vazhdojnë të qarkullojnë edhe pas kërkesës për t’i eleminuar, 34 femra kanë denoncuar faqen në fjalë në Kaliforni.
Ato pretendojnë se faqja ka porno ka postuar video të përdhunimeve të tyre në moshë ende të mitur.
Përfaqësuesit ligjorë të denoncueseve thonë se objekt i akuzës nuk do të jenë pornografia dhe as përmbajtja seksuale e faqes, por një “veprim klasik kriminal” bazuar në një model biznesi të lidhur me shfrytëzimin për qëllime përfitimi të përmbajtjes seksuale jo konsensuale.
Në 14 prej rasteve shtohet edhe akuza e “trafikimit seksual të të miturve”, duke qenë se videot tregonin abuzime të kryera ndaj tyre ndërsa ishin ende të mitura.
Kompania MindGeek, në pronësi të së cilës është Pornhub, i ka quajtur akuzat “plotësisht absurde” dhe “kategorikisht të rreme”.
Pala paditëse pretendon se Pornhub përfitoi nga videot e ngarkuara nga të dashurit apo përdhunuesit e të dëmtuarave, pa pëlqimin dhe pa dijeninë e tyre. Për këtë arsye, ata kërkojnë kompensim nga kompania që kontrollon Pornhub.
Precedenti i vitit 2020
Në fund të vitit 2020, Porhub u gjet në qendër të një investigimi sërish nga “New York Times”. Tema ishte shpërndarja ilegale e përmbajtjes pa pëlqimin e personave të filmuar. Sipas gazetës, këto ishin video abuzimi ose pornografi hakmarrëse. Brenda disa ditësh, Pornhub fshiu miliona video të ngarkuara në platformë.