Në seancën gjyqësore ndaj ish-lojtarit të kombëtares gjermane, Borussia Dortmund dhe Real Madrid, Christoph Metzelder, është thënë se ai ka dërguar materiale pornografike me të mitur të abuzuar seksualisht.
40-vjeçari po gjykohet në qytetin e Dyseldorfit dhe sot ishte dita e parë e gjyqit.
Mësohet se në celularin e Metzelder, që u sekuestrua nga policia, u gjetën 297 materiale pornografike me fëmijë nën 10 vjeç.
Sipas prokurorisë, nga 9 korriku deri në 1 shtator 2019, ai i ka dërguar 10 foto një dëshmitari, 16 foto dhe 2 video një tjetri dhe vetëm një foto një dëshmitari të tretë.
Avokati i ish-mbrojtësit tha se Metzelder po i nënshtrohet një terapie për të zgjidhur disa probleme “me seksualitetin dhe me sjelljen ndaj femrave në situata të caktuara”.
“Klienti im është i shokuar për faktin që ka pasur një jetë të dyfishtë, por është e qartë që nuk është pedofil”, tha avokati Ulrich Sommer.
Nëse shpallet fajtor, Christoph Metzelder mund të dënohet me gjobë ose burg nga 3 muaj deri në 5 vite.
Metzelder ka luajtur 48 ndeshje me kombëtaren gjermane dhe u tërhoq nga futbolli në vitin 2014. Në vitin 2006, ai ngriti edhe një Fondacion me emrin e tij, për të ndihmuar fëmijët e familjeve në nevojë në Gjermani.