Pasi e porositën vrasjen e Gjin Ndojit, Ervis Martinaj, Pëllumb Gjoka e Behar Bajri vajtën në varrimin e tij
SPAK mbylli mbrëmjen e djeshme fazën e arrestimeve të disa zyrtarëve të policisë së shtetit, biznesmen, elemente të krimit të organizuar dhe njëherësh i ka dhënë fund fazës së kontrollit të disa banesave në Tiranë, Kukës, Laç, Velipojë dhe Shkodër.
Në total janë 14 masa sigurimi, ku disa prej tyre janë ekzekutuar nga policia, ndërsa disa janë shpallur në kërkim. Akuzat janë për “Vrasje me paramendim” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, ”Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, “Korrupsion”, “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje e sekretit hetimor”. Ndërsa shumë persona, mes të cilëve Safet Bajri, Ilir Bajri, Erogen Vaso alias (Brajoviç) u shoqëruan në ambientet e policisë, të cilët pasi janë marrë në pyetje më pas u lanë të lirë.
Një letërporosi e mbërritur nga drejtësia franceze, ka sjellë një volum të madh bisedash të kryera përmes aplikacionit “Sky” dhe “Encro”, të cilat tregojnë se personazhe të këtij grupi si Enver Bajri, Ervis Martinaj, Elio Hato, Pëllumb Gjoka dhe persona të tjerë flasin me njëri-tjetrin për vrasje dhe plane ekzekutimesh të emrave të ndryshëm në Shkodër.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, rezulton të jetë arrestuar nga SPAK pas dyshimeve për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e grupit të strukturuar kriminal. Dyshohet se Gjoka ka siguruar automjete në planin për të vrarë Ibrahim Licin, një emër jo i panjohur nga policia Shqiptare.
Biznesmeni Pellumb Gjoka del në përgjime duke bërë plane me Behar Bajrin për të kryer vrasje. Behari i shpjegon se kishte kontaktuar persona të ndryshëm jo shqiptarë, por kombësi të tjera për të realizuar vrasjen por më vonë rezulton se vrasjet i kryejnë shtetas shqiptare.
Në biseda flitet për shumat që do të paguheshin për realizimin e vrasjeve. Pëllumb Gjoka thotë që të jepen sa para kërkohen vetëm vrasja të kryhet.
Pas vrasjes së Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi në 2020, të dyshuarit Pëllumb Gjoka, Ervis Martinaj, Edmond Preka dhe Behar Bajri i shkuan edhe në varrim.
Safet Bajri u arrestua më 22 shtator të 2018 bashkë me 10 persona të tjerë në kuadër të operacionit policor të koduar “Oaz”. Personat kryesorë të kërkuar ishin Safet dhe Enver Bajri që akuzoheshin për një sërë veprash penale si “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, etj.
Grupi ku bënin pjesë anëtarët e familjes Bajri, akuzohej për dy vrasje, njëra më 7 shkurt 2001, ku u ekzekutua shtetasi me iniciale A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja 15-vjeçare me iniciale F.H.
Anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan me bujë në një operacion të Forcave Speciale shqiptare, akuzoheshin edhe për kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shuma të mëdha parash.
Mirëpo, pjesa më e madhe e akuzave u rrëzuan në gjykatën e Shkodrës, duke dënuar disa nga të arrestuarit vetëm për mbajtje pa leje të armëve dhe organizim pa leje të lojërave të fatit. Ndërkohë, Safet Bajri mbeti në burg për shkak të një vendimi gjykate të dhënë nga drejtësia Belge, e cila e dënoi me 8 vjet e 9 muaj burg për trafikim të qenieve njerëzore dhe Organizatë kriminale. Kjo shkaktoi edhe reagim në Belgjikë. Asokohe, mediat belge shkruanin se njeriu që tronditi kryeqytetin e Belgjikës me krimet e tij ka bërë vetëm 6 vite burg, ndërkohë që në vendin e tyre ai ka 3 dënime me plot 22 vite burg./A2