Dy shoferë të një autobusi në Portin e Durrësit janë shpallur në kërkim nga policia pasi në automjetin e tyre janë gjetur bizhuteri floriri dhe argjendi.
Sipas policisë, këto sende me vlerë dyshohet të jenë përfituar nga rrugë kriminale.
“Nga kontrollet në vijë të dytë, në autobusin që kishte drejtues të parë dhe të dytë, përkatësisht shtetasit E. N., 34 vjeç dhe F. R., 37 vjeç, u gjet një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për të dy këta shtetas, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale,” njofton Policia e Durrësit.
Gjithashtu policia ka identifikuar dhe përfituesin e këtyre bizhuterive me vlerë, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit të automjetit policia ka sekuestruar sendet me vlerë, dy celularë dhe dy pasaporta.
“Në vijim, si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi M. T., 59 vjeç, i cili dyshohet se do të priste bizhuteritë në Shqipëri. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij,” njofton më tej policia.
Ndërkaq materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.