Në nisje të seancës së sotme plenare, fjalën nga foltorja e Parlamentit e ka marrë fillimisht kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar çështjen e Portit të Durrësit, për të cilin ka thënë se “Klani Rama merr përsipër të përvetësojë 200 mijë metra katrorë në pjesën më të kushtueshme të Durrësit”.
“Sot diskutohet për plaçkitjen më të madhe të historisë kombëtare të pronës publike nga një grup i kryesuar nga Rama që kërkon ta shnëdërrojë në pronë private Portin e Durrësit dhe në këtë akt të kësaj megaafere të pashembullt kërkohet të kufizohet fjala e deputetëve të parlamentit.
Sigurisht që me marrëveshjen që votuat nga viti 2020, ju në kundërshtim me kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, i krijuat grupit të Ramës të gjitha favoret dhe garancitë ligjore për këtë plaçkitje të pashembullt që ka ndodhur në historinë e një vendi.
Sot ju kërkoni të varrosni Portin Shekullor të Durrësit si pronë publike të shqiptarëve dhe ta shndërroni në pronë private të klanit Rama dhe të një arabi okazional. Klani Rama me 60 për qind të aksioneve, ky klan u përvetëson shqiptarëve 200 mijë metra katrorë tokë në pjesën më të kushtueshme të Durrësit, u zhduk portin mijëravjeçar. Ka qenë gjithmonë porta e hyrjës, ka qenë nyja kryesore e lidhjes me Kostandinopojën, porti që me rrugën Egnatia, lidhej me Kostandinopojën. Sot ky port asgjësohet me qindra milionë euro investime në këtë port. Klani Rama merr përsipër të përvetësojë 200 mijë metra katorë, merr përsipër të përvetësojë me para në ajër”, tha Berisha.