Kryesore “Porti i Durrësit projekt mafioz”, Meta: Gjithçka bëhet për të fituar nga...

“Porti i Durrësit projekt mafioz”, Meta: Gjithçka bëhet për të fituar nga apartamentet

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se porti i Durrësit nuk është aspak një projekt strategjik, por një projekt mafioz për të grabitur pronën më strategjike të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat të martën, Meta u shpreh se përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës.

“Është shumë e qartë se projekti nuk është aspak strategjik, nuk është aspak turistik, dhe nuk është aspak transformues për potencialin turistik të qytetit, sepse është qartazi një biznes ndërtimi apartamentesh duke grabitur pronën më strategjike të Shqipërisë”, tha Meta.

Sipas Metës, ky projekt është në kundërshtim të hapur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

“A mungojnë në Europë investitorët shumë të fuqishëm dhe seriozë që mund të investonin seriozisht dhe me transparencë në Portin e Durrësit? Cili është fati, kur do ndërtohet dhe a ka burim financimi për portin e ri të mallrave që do duhet të ndërtohet e që kushton mbi 1 miliardë e gjysmë euro?” tha Meta.