Portugalia është fituesja e parë në histori e trofeut të Ligës së Kombeve.
Luzitanët kanë triumfuar në shtëpinë e tyre në edicionin e parë historik të këtij kompeticioni të zhvilluar në dy faza, pasi kanë mposhtur në finale Holandën me rezultatin final 1-0, me “Tulipanët” që vijojnë të dëshmohen të paaftë për të fituar finale.
“Estadio do Dragao” i Portos është ndezur tërësisht kur Gonçalo Guedes në të 60’ ka shënuar një gol fantastik për të kaluar Portugalinë në avantazh 1-0, falë edhe atij shërbimi perfekt të Bernardo Silva. Epërsi që ka mbetur e pacenuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit dhe një triumf mëse i merituar për portugezët, që kanë dominuar finalen ndal “Tulipanëve”.
Jo vetëm trofe dhe lavdi për Portugalinë, e cila falë fitimit të këtij kompeticioni ka arkëtuar edhe shumën prej 10.5 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe Holanda, ndonëse humbëse në finale, mund të ngushëllohet me 9 milionët që fiton si finaliste.