Spektakël, gola dhe rekorde mes Portugalisë dhe Ganës, përballje që u fitua 3-2 nga kombëtarja europiane. Dueli i dytë i grupit G në Botërorin e Katarit, ishte një nga ndeshjet më të bukura deri tani të Botërorit.
Pjesa e parë i takimit nuk dhuroi emocione, përveç një goli që iu anulua Cristiano Ronaldos, me arbitrin amerikan që vërshëlleu përpara se pesë herë fituesi i Topit të Artë të dërgonte topin në rrjetë.
45 minutat e dyta ishin të çmendura. Pesë gola u realizuan brenda 24 minutave, duke nisur prej minutës së 65’. Cristiano Ronaldo ktheu në gol një penallti të fituar nga ai vetë, por “Yjet e Zinj” barazuan takimin tetë minuta më vonë me anë të Andrew Ayew.
Portugalia reagoi dhe shënoi dy herë brenda dy minutave me anë të Joao Felix dhe Rafael Leaos, falë dy asisteve të Bruno Fernandes. Gana shënoi golin e dytë një minutë përpara fundit. Osman Bukari tundi rrjetën dhe futi në panik luzitanët, por Portugalia ia doli të festonte në fund.
Rekordi i Ronaldos
Pesë Botërorë të njëpasnjëshëm me të paktën një gol të shënuar. Ky është rekordi i radhës i Cristiano Ronaldos, që shënoi sot kundër Ganës.
CR7 fitoi vetë penalltinë dhe e realizoi me sukses po vetë duke kaluar kështu Pelé, gjermanët Uëe Seeler, Miroslav Klose dhe Leo Messi që kanë shënuar në 4 Botërore të ndryshme.
Goli i tij të parë në një fazë finale të Botërorit ishte më 17 qershor 2006 në 2-0 ndaj Iranit, më pas Koresë së Veriut (7-0) 21 qershor 2010, Ganës (2-1) 2014, Spanjës (3-3) 15 korrik 2018 (tripletë) dhe Marokut (1-0) 20 qershor 2018. Sot Ganës me një penallti që realizoi në mënyrë gjakftohtë. Golavarazhi i tij në Kupat e Botës është tani 18 ndeshje dhe 8 gola.