“Ata që vjedhin qytetarët, ata meritojnë jo gishtin, po shumë herë më tepër.” Ky ishte qëndrimi që Sali Berisha ka mbajtur për një poster elektoral të kandidatit të tij për kryetar të Bashkisë Tiranë, Belind Këlliçi.
I pyetur gjatë një konference për mediat rreth posterit në të cilin Këlliçi shfaqet duke i treguar “gishtin e mesit korrupsionit në Tiranë”, Berisha tha se ai vetë nëse do të kandidonte do të kishte bërë më shumë se aq.
“Sigurisht, ata që vjedhin qytetarët, meritojnë çdo formë diskreditimi. Çdo njeri duhet të marrë parasysh, një i ri ka imagjinatën dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund të zgjidhja.”
Reagimet e shumta për përmbajtjen e posterit, Berisha i cilësoi zhurmë elektorale, ndërsa kujtoi se kryeministri Rama ka përdorur fjalor aspak etik për zonjat e Parlamentit dhe “reagime nuk ka pasur.”
Po ashtu, Sali Berisha ka akuzuar pasditen e së mërkurës kundërshtarin e tij politik, Edi Rama se ka zaptuar të gjitha hapësirat komerciale për reklama elektorale.
Kreu i “Rithemelimit” bëri thirrje që të mos pranohet asnjë kandidat nëpër studio televizive nëse nuk pranojnë që të ballafaqohen me kundërshtarin.
“Njeriu që varu ballafaqimin në studio është Edi Rama. Atij nuk ia mban të ballafaqohet me Sali Berishën, se e di si del në atë ballafaqim. Do t’ia rreshtoj një nga një veprat e mëdha penale,” deklaroi Berisha.