Modelet e përfshira në videon virale, ku shfaqeshin të zhveshura në një ballkon në Dubai, do të deportohen në vendet e origjinës.
Prokurori i Përgjithshëm i Dubait Essam Issa al-Humaidan, njoftoi se të gjithë personat që qëndrojnë pas skandalit do të dëbohen në vendet e tyre.
Kryeprokurori nuk ka dhënë detaje të tjera, por mediat e huaja shkruajnë se dëbimi i shpejtë është jashtëzakonisht i rrallë për sistemin ligjor në Dubai. Rastet e tilla shkojnë në gjyq ose ndiqen një sërë hapash ndryshe para deportimit.
Vajzat e moshës nga 18 deri në 22 vjeç janë nga shtetet ish-Sovjetike, konkretisht nga Rusia, Moldavia, Bjellorusia dhe Ukraina dhe u arrestuan me akuzën e shthurjes.
Videoja është regjistruar në mes të ditës në ballkonin e një ndërtese që ndodhet në lagjen luksoze “Marina” në Dubai, nga Alexey Kontsov, një shtetas rus.
Imazhet erdhën disa ditë para Ramazanit dhe tronditën autoritetet e Emirateve që edhe pse kanë ligje më të lehta në krahasim me vendet e tjera të Gjirit, nuk lejojnë alkoolin, puthjen në publik dhe zhveshjen.
Dubai konsiderohet një destinacion shumë i preferuar nga modelet, të cilat mbushin rrjetet sociale me fotografi nga hotelet luksoze të Emirateve.