Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka e konsideron masë ekstreme dhe shkelje të të drejtave të njeriut pr/ligjin e qeverisë për studentët e Mjekësisë.
Në fjalën e saj në Parlament, deputetja Açka tha se duhet konsultim më i gjerë publikisht për këtë masë dhe jo të kalojë për miratim me procedurë të përshpejtuar.
“Sigurisht që duhen marrë masa që djemtë tanë të mos na ikin, por para se ta bëjmë këtë, ne duhet ta bëjmë Shqipërinë të dëshirueshme para se të kalojmë në masa ekstreme. Në sytë e mi kjo është një masë shumë ekstreme dhe nxitimi juaj është i papërshtatshëm pasi ka shumë arsye që ju nuk keni pse të nxitoheni, aq më shumë të përfshini edhe këtë kontigjent që sapo hyn në këtë masën tuaj drastike. Nuk është konsultuar ky pr/ligj me grupet e interesit që janë vetë studentët, as konsultim publik të gjerë nuk është bërë. Këshut që nuk e shoh të arsyeshme që të përshpejtohet dhe të vijë në parlament me kaq nxitim. Gjëja e parë që ndodh është shkelja e të drejtave të njeriut dhe është e papranueshme që ne të vendosim me dhunë pa i bindur dhe pa krijuar mjedisin e këndshëm, mundësinë për t’i sqaruar njerëzit që përse i marrim këto masa. Sepse jam e sigurt që studentët do të protestojnë. Edhe unë jam për të marrë masa që fëmijët të mos na ikin, por jo këto forma absurde të cilat i kemi harruar“, tha Açka.
Një ditë më parë qeveria miratoi pr/ligjin që studentët e Mjekësisë duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas do të marrin diplomën pasi të kenë përfunduar studimet. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria.
Pr/ligji do të kalojë me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare dhe në Kuvend.