Sport Prag ndeshja ndaj Newcastle, Pioli: Jam borxhli ndaj tifozëve. Pse na vizitoi...

Prag ndeshja ndaj Newcastle, Pioli: Jam borxhli ndaj tifozëve. Pse na vizitoi Ibrahimovic

Milan, pas humbjes së rëndë 5-1 në derbi, rikthehet menjëherë në fushë, për të nisur të martën rrugëtimin e vet në fazën e grupeve të Champions League 2023-2024.

Për milanezët, që janë përfshirë në Grupin F, kundërshtari i parë do të jetë Newcastle. Skuadra angleze, ashtu si PSG dhe Borussia Dortmund, do të konkurrojnë me Milanin për të arritur në fazën me eliminim direkt.

Një grup, i cili të paktën në letër duket shumë i balancuar.

Stefano Pioli prezantoi ndeshjen kundër Newcastle në konferencën për shtyp: “Kishim shumë pritshmëri për derbin tonë, pastaj shkoi keq. Ishte një zhgënjim i madh, por tani startojmë Ligën e Kampionëve, ku duhet të bëjmë autokritikë. Ne e dimë se sa e rëndësishme do të ishte starti pozitiv në grup.

Newcastle më duket si skuadra klasike angleze, me shumë intensitet, që ushtron presion, tepër fizike, me më shumë se pesë lojtarë mbi 1.90 metër, shumë të rrezikshëm në topat e vdekur dhe në çdo rast me cilësi”.

Një shpjegim edhe për vizitën e Ibrahimovic: “Ai duhej të vinte të premten, para derbit, pastaj pati një angazhim të papritur dhe erdhi sot. Ne ishim të kënaqur që e pamë. Ai foli me djemtë individualisht, nuk mbajti një fjalim para grupit. Më pyeti si po bëjnë lojtarët, por asgjë në veçanti, përveç gjërave tona”.

Zhgënjimi pas disfatës 5-1 në derbi është i madh: “Këto dështime në derbi kanë peshë të madhe. Po të mundja do të jepja gjithçka që kam për t’i ndryshuar këto rezultate. Iu jam borxhli tifozëve”.

Nesër do ta ketë kundërshtar Sandro Tonalin: “Do ta përqafoj me shumë dashuri. Fituam së bashku, do të jetë emocionuese për të që të kthehet në ‘San Siro’, i urojmë më të mirën…, por pas ndeshjes së e radhës”.

Pritshmëritë në Champions: “Përmirësimi do të thotë të arrijmë deri në fund. Duhet të përqendrohemi hap pas hapi, tani për tani le të fokusohemi te grupi, i cili është shumë i balancuar, me PSG-në paksa favorit dhe ekipe të nivelit të lartë që mund t’i heqin pikë njëri-tjetrit. Përvoja që kemi fituar na lejon të përballemi me grupin me bindje, forcë, duke e ditur se duke filluar nga nesër do të jetë shumë e rëndësishme”.