38-vjeçari me iniciale E.S. është arrestuar pasi lëvizte i armatosur me armë zjarri në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 38-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën në një qese plastike, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta” dhe një krehër për pistoletën.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në lagjen “21 Dhjetori” të Tiranës, u gjetën 2 këllëfë pistolete dhe 1 veshje kamuflazhi, si ato ushtarake. Të gjitha sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.