Kryesore Pranoi bashkëpunimin me oligarkun rus, Charles McGonigal dënohet me 50 muaj burg

Pranoi bashkëpunimin me oligarkun rus, Charles McGonigal dënohet me 50 muaj burg

Një nga ish-agjentët më të lartë të FBI-së, Charles McGonigal u dënua të enjten me mbi katër vjet burg (50 muaj) për bashkëpunim të fshehtë me një oligark rus.

“Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më jep dhimbje ekstreme emocionale dhe fizike”, i tha McGonigal gjykatëses përpara se t’i jepej dënimi. “Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi”

Gjyqtarja Jennifer Rearden përmendi “kontributet e jashtëzakonshme” të McGonigal në operacionet kundërspiunazhit në emër të vendit, por vuri në dukje gjithashtu shqetësimin për zgjedhjen e tij për të punuar për Oleg Deripaska, të cilin SHBA e kishte sanksionuar.

“Z. McGongial e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione,” tha Rearden përpara se të vendoste dënimin me 50 muaj.

Ai shërbeu si agjent special i ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork. Në atë pozicion, McGonigal mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, duke përfshirë Oleg Deripaska, të cilit i ofronte shërbime të palejueshme.

McGonigal ka ndikuar që oligarku Oleg Deripaska të dalë nga lista e zezë e sanksioneve amerikane.

Nga ana tjetër, McGonigal ka pranuar se ka punuar për të futur një rival të Deripaskës, në listën e zezë të SHBA.

Në shkëmbim, Deripaska e paguante McGonigal me 41 mijë dollarë në muaj, ndërsa 51 mijë dollarë i kishte marrë paraprakisht.

Prokuroria pati kërkuar 5 vite burg dhe 200 mijë dollarë gjobë për McGonigal.

Dosja për Shqipërinë

55-veçarit do t’i duhet të përballet sërish me gjykatën në fillim të vitit të ardhshëm, këtë herë në Uashington, për çështjen që e lidh atë me Shqipërinë.

Më herët në muajin shtator 2023, ish-kreu i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve tët McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.