Pas të nxehtit të së premtes, ku temperaturat kanë shënuar maksimumi deri 26°C në zonat malore dhe nga 28 në 30°C në shumicën e qyteteve të Ultësirës Perëndimore, sot shirat kanë përfshirë të gjithë vendin duke ulur temperaturat me 6-7°C.
Maksimumi sot dhe nesër luhatet në vlerat 23-24°C. Rënia e temperaturave ka ndodhur si pasojë e shirave të cilat kanë nisur gjatë natës në Veri dhe gradualisht në mëngjes kanë zbritur në zonat Perëndimore dhe më pak në ato Lindore.
Shirat janë paraqitur të dobët dhe vetëm në momente të shkurtra dhe kanë patur intensitet mesatar në zonat Perëndimore, ku janë matur deri 20 mm shi.
Sipas meteorologes Tanja Porja, pasditja sjell përmirësim të motit në zonat Perëndimore duke zhvendosur shirat drejt kufirit Lindor të Shqipërisë deri në mbrëmje, kur moti kthjellohet në të gjithë vendin.
Dita e diel dhe pjesa më e madhe e së hënës vijojnë pa shira, por sërish e marta e mërkura sjellin shira të përkohshëm, ndërsa temperaturat mbeten relativisht të ulëta, jo më lart se 23-24°C deri të enjten e javës tjetër./A2CNN