Presidenti Ilir Meta deklaroi sonte në TCH se nuk ka një pranverë në marrëdhëniet me qeverinë, por sipas tij, është koha që duhet të mbështesim qeverinë. Kreu i shteti foli edhe për ndryshimet në Kodin Penal, ku maxhoranca pranoi propozimet e tij.
A kemi pranverë marrëdhëniesh Rama-Meta dhe a do të vazhdojë kjo pranverë edhe pas pandemisë?. e pyeti Eni Vasili.
“Nuk kemi të bëjmë me pranverë. Është konçidencë. Pranvera ime lidhet vetëm me zbatimin e kushtetutës. Për mua është me rëndësi që qeveria të mbështetet në përpjekjet e saj, Ka përpara vendimmarrje të vështira. Është momenti të mbështesim qeverinë”, tha Meta.
Meta u ndal edhe tek ndryshimet e kodit penal ku tha se ndryshimet u bënë sepse kishte një mungesë në Kodin Penal.
“Ka pasur një boshllëk në Kodin Penal për këtë situatë. Kjo është një situatë e panjohur për ne. Ne shpresojmë që kjo të zgjasë pak javë, por nuk e dimë sepse është një situatë e re për ne.
Drafti i parë ka krijuar një reagim në opinionin publik, shoqërinë civile dhe media. Unë do të mbaj një qëndrim publik pasi të vijë drafti përfundimtar”, tha Meta në Open.