E përditshmja franceze “L’Equipe” ka zbuluar një prapaskenë mjaft interesante, sipas të cilës trajneri gjerman Thomas Tuchel ka qenë kundër blerjes së kartonit të sulmuesit argjentinas Mauro Icardi.
Ky i fundit iu bashkua PSG-së verën e kaluar në huazim me të drejtë blerjeje dhe pas një starti mjaft të mirë të sezonit, paraqitjet e bomberit argjentinas erdhën në rënie të vazhdueshme, aq sa u la në pankinë në ndeshjet e “Final Eight” në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë klubi francez vendosi të ushtrojë të drejtën e blerjes së Icardit për shifrën e 50 milionë eurove, plus disa të tjera në formë bonusi, ndërsa e përditshmja franceze zbulon se ka qenë Leonardo ai që ka këmbëngulur më shumë.
Drejtuesi brazilian ka bindur trajnerin Tuchel, duke i thënë se bëhet fjalë për një rast të mirë merkatoje, duke qenë se në kushte normale kartoni i argjentinasit do të kushtonte shumë më tepër.
Megjithatë sulmuesi argjentinas vijon të vuajë mungesën e golave, ndërsa edhe vetë Tuchel e pranoi se Icardi duhet të fillojë të shënojë, për të gjetur besimin. “I mungon besimi dhe nuk mund t’ia heq duke i folur apo duke i mësuar sjellje. Për t’u rikthyer ai që njohim, duhet të shënojë”, u shpreh Tuchel.