Zëvendësministri i Financave Elton Harxhi nuk do të jetë më në këtë detyrë. Njoftim zyrtar nga Ministria e Financave nuk ka, por ai vetw e pohoi largimin në News24. “Nuk mundet të vijoja të qëndroja më në atë detyrë”, është shprehur ish zv/ministri.
Po pse u largua?
Dy ditë më parë (të martën) Ministria e Financave humbi gjyqin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, pasi kishte kërkuar anulimin e licencës për shfrytëzimin e dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit për kompaninë “Albanian Duty Free Distribution”, me pronare Elona Çaushin.
Elton Haxhi është zv.ministri që firmosi në gusht të vitit të shkuar rinovimin e licencës së kompanisë “Albania Duty Free Distribution” (kompania e gruas së Gjin Gjonit) për të vijuar aktivitetin në dyqanin pa taksa (Duty Free) në Rinas, ndërkohë që tenderin për këtë gjë e kishte fituar një kompani amerikane e quajtur “International Cruise Duty Free”.
Lepuri i “Duty Free” doli nga Ministria e Financave
Dy ditë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë rrëzoi vendimin e Ministrisë së Financave, që i anuloi licencën e shfrytëzimit të dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit, duke i dhënë të drejtë kompanisë “Albanian Duty Free Distribution”, me pronare Elona Çaushin.
Pas shpalljes së vendimit, gjyqtari Avni Sejdi u tha të pranishmëve se kur të lexojnë vendimin e arsyetuar, që pritet të publikohet brenda dy javëve, do të kuptojnë se “ku fle lepuri”.
“Strumbullari” i të gjithë përplasjes ligjore nëpër gjykatat për çështjen e menaxhimit të dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit janë bërë dy vendime të marra brenda pak javëve nga Ministria e Financave në vitin 2019.
Dështimi i këtij institucioni për të informuar 60 ditë përpara kompaninë shqiptare “Albanian Duty Free” se nuk do t’i rinovonte licencën për ushtrimin e aktivitetit në Aeroportin e Rinasit është përdorur nga kompania në fjalë si argument i fortë ligjore në padinë e ngritur në gjykatë në 1 gusht, ku kërkoi dhe fitoi të drejtën për të vazhduar aktivitetin e saj, pavarësisht se kontrata me TIA-n i kishte përfunduar dhe kjo e fundit kishte nënshkruar një kontratë të re me kompaninë amerikane “International Cruise Duty Free”.
Pas kësaj, kompania “ADFD” me pronare Elona Çaushin, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni aplikoi për rinovimin e licencës për shfrytëzimin e hapësirave në Rinas. Çuditërisht, një proces që vetë Elona Çaushi, përmes një letre dërguar për “TIA”-n thotë se kërkon 6 muaj, kompania e saj e mori për 24 orë. Aplikimi është bërë më 15 gusht 2019 dhe më 16 gusht 2019, zv. ministri i Financave firmos licencën e rinovuar.
Në fund të shtatorit, Ministria e Financave e kuptoi “gabimin” dhe u mundua ta korrigjojë atë duke e anuluar licencën. Kompania “ADFD” e paditi këtë vendim të ministrisë dhe gjykata administrative e Tiranës i dha të drejtë më 11 shkurt.
Pra, e thënë më thjeshtë, nëse Ministria e Financave do të kishte përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke filluar që me respektimin e afatit 60-ditor për të njoftuar kompaninë se nuk do t’i rinovonte licencën, “sikletet” e kompanisë amerikane “ICDF” do të ishin kursyer, e po ashtu do të ishte kursyer edhe ndonjë gjobë e mundshme me të cilën mund të përballet shteti shqiptar nëse kompania në fjalë vendos ta padisë në gjykatat ndërkombëtare.