Gazeta greke ‘Kathimerini’ shkruan se mbetet ende e paqartë nëse do të lejohet kryeministri shqiptar Edi Rama të futet në Athinë.
Të dielën, më 12 maj është planifikuar t’i drejtohet një tubimi emigrantësh shqiptarë. Fillimisht tubimi ishte planifikuar të mbahej në stadiumin e mbyllur të Galatsit, por së fundmi Bashkia hoqi lejen që kishte dhënë fillimisht, për shkak të aktiviteteve të tjera që janë planifikuar. Ndaj, mbetet për t’u parë nëse dhe ku do të zhvendoset për zotin Rama ngjarja e emigrantëve shqiptarë, shkruan Kathimerini.
Pala greke ende nuk ka një protokoll. Sipas Kathimerini, Ministria e Jashtme është informuar për vizitën e Ramës, por ka refuzuar përgatitjet për një pritje të kryeministrit shqiptar.
“Z. Rama njoftoi jozyrtarisht synimin e tij për të vizituar Athinën nëpërmjet të besuarit të tij Endri Fuga, i cili ishte në Greqi disa ditë më parë. Ministria e Jashtme i bëri me dije të besuarit të zotit Rama se nisur nga faza parazgjedhore që po kalon Greqia për shkak të zgjedhjeve europiane, do të ishte e preferueshme të shtyhej për pas datës 9 qershor. Që atëherë, ftesa e Athinës është shpërfillur dhe kryeministri shqiptar thuhet se është i vendosur për të realizuar vizitën”, vazhdon Kathimerini.
Në sfond të vizitës është ajo që ndodhi në fushatën e 14 Majit në Shqipëri, kur kandidati i mbështetur nga Greqia në Himarë, Fredi Beleri u burgos dy ditë para votimit për blerje votash.
Media greke thotë se me fjalët e tij, Rama mund të nxisë më tej konfliktin e brendshëm politik dhe të ndikojë në votën e emigrantëve shqiptarë.
“Nisur nga atmosfera e ngarkuar me ngjarje të Himarës, udhëtimi i Ramës mund të nxisë konfliktin e brendshëm politik, duke e ngritur lart çështjen Beleri në axhendën e debatit publik. Apo edhe të provokojë reagime nga elementi verior kontinental në Athinë, gjë që qeveria definitivisht nuk e dëshiron.
Burime diplomatike në Tiranë dhe Athinë theksuan se vizita e planifikuar mund të ketë objektivisht elementin e shfaqjes së forcës, ku Rama tenton të instrumentalizojë votën në zgjedhjet europiane të dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë që kanë të drejtën ligjore për të votuar si shtetas grekë, në përgjigje të kandidaturës së Belerit.
Megjithatë, një ngjarje e tillë, edhe nëse Rama i shmang referimet për zgjedhjet europiane, në çdo rast do të përbënte përfshirje indirekte në proces”, shkruan Kathimerini.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një axhendë zyrtare të pritjes për kryeministrin shqiptar apo ai do të refuzohet për shkak të Fredi Belerit.
Mitsotakis ka vënë një bast të rrezikshëm duke e futur Belerin në listat e kandidatëve për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Rama po kërkon t’i kthejë borxhin duke e vënë në provë me një lojë nervash që nis nga vizita e tij në Athinë.
Në analizën e Kathimerini, shkruhet se, duke qenë se nuk do të ketë takime zyrtare, interesi nga vizita e Edi Ramës në Athinë është përqendruar tek fjalimi i tij për shqiptarët dhe tek referimet e pashmangshme për marrëdhëniet greko-shqiptare dhe minoritetin grek, me fokus zhvillimet në Himarë. Ndjenja (arrogante) e të qenit “triumfues” në “Betejën e Himarës” do ta shoqërojë Edi Ramën edhe në Athinë.