Sport Prapaskenat/ Kur Setien i tregoi derën Messit

Prapaskenat/ Kur Setien i tregoi derën Messit

“Nëse nuk të pëlqen ajo që them unë, ja ku e ke derën”. Kështu i ka thënë Quique Setien, ish-trajner i Barcelonës, Leo Messit, pas ndeshjes që Barcelona barazoi 2-2 ndaj Celta Vigo, në muajin qershor.

Sipas “SER Catalunya”, trajneri qortoi ashpër lojtarët e Barçës për gabimet që kishin bërë në ndeshje dhe Messit nuk i pëlqeu aspak toni i përdorur prej tij. Argjentinasi i kërkoi trajnerit që të tregonte respekt për lojtarë që kishin fituar gjithçka në karrierën e tyre, ndryshe nga Setien.

Në këtë moment, Setien i tregoi derën Messit: “Nëse nuk të pëlqen ajo çfarë them unë, ja ku e ke derën”.

Sipas “SER Catalunya”, Messi vetëm buzëqeshi. Disa javë më pas, pasi Barcelona humbi titullin kampion dhe u turpërua në Champions nga Bayern Munchen, Setien u shkarkua nga drejtuesit katalanas.

Ky episod del në dritë pasi Setien dha një intervistë ku theksoi se Messi është i vështirë për t’u menaxhuar: “Leo është i vështirë. Por, unë nuk mund që ta ndryshoja. Nëse e kanë pranuar ashtu si është dhe nuk e kanë ndryshuar të tjerë, unë nuk mund ta ndryshoja”.