Mark Simoni, gazetar i njohur dhe botues, është një nga të prekurit nga Covid-19. Ai ka ditë që ndodhet i shtruar në Sanatorium, prej nga ka shkruar disa mbresa e përjetime të kësaj periudhe mjaft të vështirë për krejt njerëzimin, jo vetëm ata që kanë nevojë për hospitalizim e terpari intensive, pse jo dhe intubim.
Për gazetën “Mapo”, ai ka treguar edhe përkushtimin e mjekëve, të cilët i konsideron heronj në përballjen e përditshme me koronavirusin. Me sqimën e një shkrimtari, Marku i laton mirë fjalët që përdor për bluzat e bardha, në duart e të cilëve është prej një muaji dhe falë tyre po e fiton betejën e vështirë, me mjaft të panjohura:
“Jam në qendër te ciklonit të sëmundjes, në pikat më të errta të saj, atje ku dhemb dhe frikëson çdo gjë, jam në institucionin “Shefqet Ndroqi”, bash aty ku është mbledhur një staf i shkëlqyer shërbimi, që mbron dhe rikthen në jetë tërë këto njerëz të dënuar nga fati i infeksionit dhe të bekuar nga tërë këta mjek e infermierë humanë, të ditur, të apasionuar, serioz dhe këmbëngulës. Ndodhem në qëndër të këtyre rrethanave dhe e ndjej punën titanike, kujdesin prej misionarësh.
Në këtë institucion, pikërisht stafi që shpëton jetë njerëzish, pra ky staf, është tamam si rrjeta e cirkut poshtë trupit të lojtarit, kjo rrjetë që i jep siguri, e mbron dhe nuk e lë të bjerëe poshtë. Dua të përmend, drejtorin, Prof. Dr. Perlat Kapisyzi që ndërthur në mënyrë më harmonike, më humane dhe profesionale akademizmin e epërm dhe komunikimin e thjeshtë me pacientët, psikoterapinë dhe gjendjet që i sëmuri i ka të domosdoshme për të qenë në gjendje të mirë psikologjike, zotëron me korrektësi thellësinë profesionale dhe njohjen e gjërë të të gjitha situatave që kanë të bëjnë me COVID dhe rrethanat e tij.
Dr. Alma Teferiçi, një mjeke me vullnet të jashtëzakonshëm, për të shpjeguar deri në detaje racionale dhe analitike, krejt si matematikë mjekësore, që lidh të gjitha rrethanat e sëmundjes dhe e orienton si mjekimin ashtu dhe pacientin në rrugën më eficente. Dr. Arben Tanka, mjek i ditur dhe human, i kujdesshëm dhe me ambiciet më të mira pozitive për t`ia dalë çdo vështirësie që i shfaqet përpara. I vëmendshëm e i përkushtuar deri ne ekstrem. Të gjithë janë këtu pranë nesh, në të njëjtën kështjellë vuajtje por dhe suksesi, të rreshtuar si skalion misionaresh.
Doktoresha e apasionuar, Kloedina Bratja, Emiljada Terpo, Esmeralda Muça, Alma Gjini, Elda Brahja, Blerina Memaga, katër infermierët e mrekullueshëm: Blerimi, Donaldi, Albani, Tani, si dhe Kozeta, Elvira, Flutura, Majlinda, Viola, Aneada, Zinete, Ina, Ornela, Geri, Mona, Pavlina. Unë jam vetë këtu, krejt në qendër të sëmundjes dhe punës titanike, e ndjej në tërë qenien, në lëkurën e hallit, dhe asgjë nuk na bën dot të shohim realitete të deformuara”.