“Kampionati anglez nuk do të nisë në fillim të muajit maj, por vetëm kur situata nga Covid-19 të jetë e sigurt. Sezoni 2019-’20 do të mbyllet kur të jetë periudha më e volitshme”. Ky është vendimi i 20 klubeve të Premier League, në përfundim të mbledhjes rreth emergjencës së koronavirus.
Skuadrat elitare në Angli arritën akordin që të bisedojnë me futbollistët për ti kërkuar 30 për qind reduktim të pagës vjetore. “Shkak janë humbjet e mëdha financiare prej pezullimit të aktivitetit dhe kjo është mënyra për të mbështetur punonjësit e tjerë”, shkruhej në njoftimin për shtyp.
Premier League vendosi gjithashtu të ndihmojë ligat më të ulëta angleze, duke votuar me unanimitet akordimin e 125 milionë sterlinave, pasi “klubet që ndodhen më poshtë në piramidën e futbollit, po vuajnë në këtë periudhë krize”. Gjithashtu, Liga e Futbollit mbështeti edhe “misionin heroik të Shërbimit Kombëtar Sanitar, duke akorduar 20 milionë sterlina në mbështetje të këtij institucioni, por edhe familjeve dhe grupeve të personave që janë të rrezikuar nga pandemia COVID-19”.