Pranvera e 2021 është vendosur si afati i përfundimit të ndërtimit të shtëpive individuale dhe apartamenteve për banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga tërmeti i Nëntorit.
164 shtëpitë individuale do të ndërtohen nga marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë dhe të ardhurave të mbledhura nga fondacionet private, ndërsa 230 apartamentet nga shteti.
I pranishëm në zonën ku pritet të ngrihet një lagje e re, ku investimi përfshin edhe gjithë infrastrukturën mbështetëse, kryeministri Edi Rama, tha se një vit pas lëkundjes sizmike që i mori jetën 51 personave dhe shkatërroi me mijëra shtëpi, shumë prej objekteve të shembura do të jenë në fazë ndërtimi.
“Banorëve që janë në pritje të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti ju them që po punohet intensivisht. Proceset kanë qenë shumë të ngjeshura. Fatkeqësisht interferimi i epidemisë na vonoi pak, kryesisht për garat, pasi garat kanë qenë të hapura dhe kompanitë e kanë pasur të pamundur të marrin pjesë, sidomos kompanitë e huaja dhe kanë kërkuar shtyrje, gjë që na ka pezulluar dhe procese të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që absolutisht në 26 nëntor, 1 vit nga tragjedia, gjërat do të jenë dukshëm ndryshe e në 26 nëntor do hapim dyert e shumë shkollave dhe do të hapim dyert e jo pak shtëpive edhe pse do të na duhet të vazhdojmë punën e të kompletojmë gjithçka vitin e ardhshëm”, tha Edi Rama.
Nga qytetarët ai kërkoi mirëkuptim pasi plani i rindërtimit është kanalizuar dhe deri në mbyllje të 2021 shumë ndërtesa si banimi apo shërbimesh do të kenë përfunduar.