Pak pas atentatit me eksploziv të ndodhur në Tiranë ku mbeti i plagosur rëndë Preng Gjini, policia u nis me urgjencë drejt Rrëshenit ku zhvilloi kontrolle të shumta.
Aksioni u zhvillua nga policia e Lezhës në bashkëpunim me forcat RENEA, ndërsa janë shoqëruar 6 persona si të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje kriminale.
Të gjithë personat janë nga fisi Reçi, pasi dyshohet se dy familjet prej disa vitesh janë në konflikt me njëra-tjetrën.
Nga ana tjetër, uniformat blu po mbajnë në monitorim edhe banesën ku jetojnë prindërit e 51-vjeçarit, Preng Gjini me qëllim shmangien e një ngjarje të dytë kriminale.
Por ndërsa hetuesit vijojnë punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Vizion Plus mëson se gjendja e Preng Gjinit në spital vijon të jetë kritike.
Sipas informacioneve, 51-vjeçari ka një dëmtim të syrit të djathtë dhe për këtë arsye i është nënshtruar një tjetër operacioni pas atij të mbrëmshmit.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e një hakmarrje të mundshme nga familja Reçi. Preng Gjini prej disa kohësh ishte shpërngulur në Tiranë ku jetonte tek një kushëri i tij. Pas vrasjes së vëllait të tij, Armando Gjini, 51-vjeçari kishte bërë dokumentat për të ikur në Amerikë, aty ku ndodhet bashkëshortja dhe dy fëmijët.
Ndërkohë pak minuta para atentatit, 51-vjeçari kishte lënë makinën e tij fuoristradë dhe kishte marrë atë të kushëririt. Por pas vetëm 10 minutash makina shpërtheu. Ndërkohë policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë që kanë fiksuar ngjarjen.