Nga Albana M. Lifschin
(Duke lexuar librin e Ben Sasse “The Vanishing American Adult”)
Duke folur për rritjen e brezit të ri, grekët e lashtë dhe romakët dallonin midis atyre që “piqen mirë si rrushi dhe bëjnë verë të mirë dhe atyre që moshohen keq dhe përfundojnë në uthull”.
Libri ka për qëllim që të ngjallë debate të nevojshme për të bërë lidhjen midis mënyrës se si po rriten fëmijët e sotëm amerikan dhe të ardhmes së Amerikës.
Autori pohon se “ne sot jetojmë krizën e daljes nga mosha e adoleshencës dhe hyrjes në maturi, e cila s’ka paralel në historinë e Amerikës; Në këtë libër Ben Sasse ndan shqetësimin e tij si prind dhe si patriot. Vite më parë, Ben Sass (Senator i Nebraskës) ka qenë president i Midwestern College në Nebraska, pozicion që e mundësoi atë t’i studionte nga afër fenomenet e moshës së re, dhe konkludoi se nëqoftëse të rinjtë e sotëm nuk do të edukohen me një synim të caktuar si “gjeneratë që do të drejtojë vendin”, ky do të qe kërcënim real për mënyrën e jetesës amerikane.
Dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshë te pjekur përmban në vetvete përgjegjësi vetjake dhe shoqërore. Sipas statistikave, 30% e studentëve në kolegjet amerikane e lënë atë që në vitin e parë të studimeve. Vetëm 40 për qind e tyre diplomohen. Një e treta e të rinjve të moshave 18-34 vjeç jetojnë me prindërit.
Shumica e fëmijëve mbi moshën 13 vjeç harxhojnë më shumë se 60 % të kohës duke konsumuar median në internet. Dikur, shumë nga fëmijët që dilnin nga adoleshenca, bëheshin ekonomikisht të pavarur e krijonin familjet e tyre. Sot kjo gjeneratë duket e vonuar, ose e ka “kapërcyer” pa e përjetuar atë. Autori vëren se gjenerata e re e amerikanëve ka nevojë të maturohet, të mësojë për Amerikën, për të veçantën e këtij vendi; të mësojë se liritë që gëzojnë sot nuk duhen marrë si të mirëqëna një herë e përgjithmonë, por duhet punuar për t’i ruajtur dhe trashëguar ato; të mësojë për historinë e dhe kushtetutën amerikane që mbahet e shenjtë nga prindërit e tyre. Presidenti Ronald Reagan ka thënë: “Liria nuk na përket thjesht si trashëgimi. Për mbrojtjen e saj duhet luftuar vazhdimisht, nga çdo gjeneratë, sepse ajo i vjen popullit vetëm njëherë. Ata që e kanë njohur lirinë dhe pastaj e humbasin, nuk kanë për ta parë më”.
Mënyra se si rriten fëmijët e sotëm, thekson autori, lidhet me statusin e të ardhmes së vendit. Ne jetojmë në Amerikën e adoleshencës së përjetshme. Fëmijët tanë nuk e dinë tashmë se ç’është një i rritur(adult) dhe si mund të bëhesh i tillë. Shumë syresh as nuk e shohin të arsyeshme se përse duhet ta dinë. “Por më shumë problematike se kjo, është që ne prindërit kemi harruar që kjo është detyra jonë.
Adoleshentët i karakterizon pasiviteti. Sot Amerika gëzon një superbollëk që nuk e ka patur asnjëherë në historinë e saj. Eshtë vështirë t’i zgjosh fëmijët nga plogështia që u shkakton bollëku. Gjenerata e prindërve dinte të bënte dallimin midis luksit dhe nevojës. Njeriu jeton edhe pa luks. Kurse fëmijët e sotëm nuk e njohin dallimin midis “I need” dhe “I want”. Bollëku i jashtëzakonshëm i Amerikës ka ushqyer një pasivitet të dukshëm. Pasiviteti sot karakterizon jo vetëm moshën e adoleshencës por edhe ata që janë më të rinj e po ashtu edhe ata që kanë hyrë në moshë të pjekur. Njerëzit janë mësuar që në foshnjërine e tyre që t’i kenë të gjitha të gatshme para tyre, duke mos lëvizur asnjë gisht për to.
Ideali amerikan që puna është një komponent i nevojshëm për t’u formuar si njeri i pjekur, përmbledh në vetvete edhe përgjegjsinë. Shumica e amerikanëve kanë lindur me një ndjenjë të brendëshmë shpirtërore për ta investuar kohën në mënyrë produktive. Amerika e ruan etikën e vjetër të punës, madje edhe kur përpjekja për mbijetesë nuk është më e nevojshme. Njihet proverbi : “Duke ndenjur kot, ne vjedhim vetveten”. Këto mësime që janë marrë e kultivuar nga gjyshërit e prindërit, ekziston rreziku të harrohen nga brezi i sotëm i adoleshentëve. “Puna- këshillonte Albert Ajnshtajni nipin e tij –është e vetmja gjë që i jep jetës kuptim”. Autori sjell shembuj interesantë nga jeta dhe figurat e rëndësishme të historisë së Amerikës, si edhe e njerëzve të zakonshëm.
Teodor Ruzvelti , ish presidenti i SHBA, pati një vegjëli e rini të vështirë për shkak të shëndetit të lig. Me punë dhe vullnet të madh ai e shndërroi veten në një njeri të fuqishëm fizikisht. Me forcën e vullnetit djali jo vetëm u përmirësua, por shkoi edhe me tej. Ai mori mësime boksi në mënyrë që t’i dilte vetes për zot e të mos i trëmbej askujt. Më vonë, student në kolegjin e Harvardit, Tedi Ruzvelt u shqua në një kampionat boksi duke fituar admirimin e spektatorëve “ Në botë nuk vlen asgjë, nëse nuk është arritur përmes vështirësive” thoshte Ted Ruzvelti Edhe kur u bë president i SHBA, ai luante futboll e bënte boks. Në filmin amerikan “Shawshank Redemtion”, ka një skenë domethënëse, kur te burgosurve iu kërkua të dilnin vullnetarë për një punë të vështirë. Dolën 100 të burgosur. Ata punuan shumë mbi çati dhe puna u shpërblye me një shishe birrë për secilin. Personazhi i filmit i luajtur nga Morgan Freeman thotë: “Ne pimë birrën duke patur diellin mbi kokë dhe u ndjemë si njerëz të lirë”
Autori konkludon që fëmijët bëhen të pjekur e të përgjegjshëm për të ardhmen, jo përmes pekuleve,,përkëdheljeve, por nëpërmjet njohjes së punës e vështirësive të saj. – Për të rinjtë e sotëm amerikanë, dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshën kur kultivohet pjekuria dhe përgjegjësitë, tingëllon si një shaka, ndryshe nga e kaluara kur kufiri midis këtyre dy fazave ishte krejt i qartë.
Të preokupuar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e punës, Ben Sass sëbashku me bashkëshorten vendosen ta dërgonin vajzën e tyre 14 vjeçe në fermë, për një muaj. E lanë atje, në familjen e një fermeri duke e këshilluar të punonte shumë e pa u ankuar,e t’i bënte krenar prindërit. Vajza u mor me të gjitha llojet e punëve, që nga pastrimi i grazhdit , ushqimi i lopëve e deri tek përvoja e pjelljes së bagëtisë. Vajza i dërgonte nënës së saj mesazhe çdo ditë dhe shprehej e emocionuar nga çdo gjë të re që mësonte. Disa prej tyre nëna e saj i përcillte në fb tek të njohurit e saj. Vajza adoleshente po kalonte një përvojë të re dhe ndihej e gëzuar. Vajza u kontaktua nga Wall Street Journal dhe u bë një shkrim për të. Ndërkohë që prindërit po mendonin se si ta shpërndanin këtë eksperiencë, për t’u përqafuar edhe nga prindër të tjerë, ja behën njerëzit e ligjit duke u thënë prindërve që ata kishin thyer ligjin e punës sipas të cilit për moshën e vajzës nuk lejohej të punonte. Disa shtete dhe ligji federal e bëjnë shumë të vështirë për adoleshentët (15 , 16, 17 vjeç) edukimin e ndjenjës së punës, ndërkohë që fëmijët e fermerit rriten në fermë dhe punojnë së bashku me prindërit. Rritja e një brezi të vlefshëm e jo të llastuar, e një brezi që nuk i trembet vështirësive, ky duhej të jetë preokupimi i prindërve të sotëm.
Dhënia pas botës materiale
Sociologu Kristian Smith në testimet e tij me të rinj të moshës 18-23 vjeç, arriti në përfundimin se gjenerata Z (ata që kanë lindur pas 1995) dhe një shumicë e madhe e millenials (atyre që kanë lindur midis 1980 -1995) janë materialistë të pandryshueshëm (të pareflektushëm) dhe robër të konsumerizmit. Nga ata që u intervistuan, 65% thanë se bërja e pazarit, blera e sendeve të ndryshme, prishja e parasë u jep kënaqësi të madhe. Edhe pse pyetjet ishte të ndërtuara në mënyrë të tillë që t’i orientonin drejt vlerave morale shpirtërore përsëri përgjigjet shkonin drejt kënaqësisë materiale. Më tepër se gjysma e të rinjve që po dilnin nga adoleshenca ishin të një mendje që mirëqënia matet me atë që pronëson, dhe blerja e sa më shumë gjërave i bën ata më të lumtur, dhe se ata përftojnë kënaqësi të madhe vetëm nga blerja e tyre. Askush nuk përmendi, (asnjë!) nuk u shpreh me skepticizëm ndaj mungesës së mënçurisë e seriozitetit në citimin “Paraja e blen lumturinë”. Në të kundërtën, përgjigjet qenë të njëjta: “Nëse të pëlqen diçka, bleje”, çfarëdo që të bën ty të lumtur!” Kur të rinjve iu kërkua mendimi nëse ishin shumë të fiksuar pas bërjes së pazarit, shtimit të mallit material, një nga përgjigjet e shqetësoi sociologun në veçanti: “Hej, ky është kapitalizmi. Unë tani jam bërë tifoz i madh i tij”.
M’u kujtua libri i gazetarit Mitch Albom (fitues i çmimit Pulitzer).
(“Tuesdays with Morie” (Të martat me Morin) i cili e lidhte lumturinë e njeriut jo me anën materiale, por me atë shpirtërore, me vënien e dijes, kapacitetit të njeriut në shërbim njerëzimit.
Dhënia pas pasurisë është një sëmundje që ka pushtuar edhe rininë dhe familjet në vendlindjen tonë.
Të rinjtë, ashtu si prindërit i shesin mënd njeri tjetrit për çdo të mirë materiale që blejnë e posedojnë.
Një farë konkurrimi material i pashpirt.