Në Presidencë do të zhvillohet nesër një takim midis Ilir Metës dhe kryeopozitarit Lulzim Basha.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Sa i përket refuzimit të kryeministrit Edi Rama për t’u takuar nesër me Metën, pasi ftesa i është dërguar edhe atij, në reagimin e Presidencës thuhet se janë në pritje që kryeministri të gjejë kohë.
“Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë”, thuhet në reagim.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas ftesës së presidentit Ilir Meta për të biseduar mbi krizën politike. Rama thotë se pret një tjetër ‘çmenduri’ nga Meta pas dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.
“E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor. Krenar për PS”, shkruan Rama.
Kjo është ftesa e parë zyrtare që Ilir Meta u drejton kryetarëve të PS dhe PD për të gjetur një zgjidhje mbi krizën, e cila mori një tjetër dimension pas dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.