Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, është shprehur nga Fieri se nuk e kupton pse grupi parlamentar i Partisë Demokratike është tërhequr nga procesi i zgjedhjes së Presidentit për të sjellë kandidatura.
Ai u shpreh se mazhoranca e respekton marrëveshjen me grupet parlamentare të opozitës, që të jenë ato që të propozojnë kandidatin deri në raundin e 3. Ai ripërsëriti se mazhoranca do të propozojë kandidatët e saj në raundin e 4 dhe të 5.
“Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Për t’i kërkuar PS-së, grupit të saj parlamentar mendimin për kandidaturat e tyre. Nuk e kuptoj përse PD-ja, grupi i saj parlamentar si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Orët në vijim, në mbyllje të këtij afati mendoj se duhen përdorur me përgjegjësi. Do ishte, do thoja, jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë të zgjedhjeve për Presidentin e Republikës. Sikurse e kam thënë, do vazhdoj ta them, ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD-së dhe dy grupet e tjera, që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit të kandidatit për president nga opozita. Në rast se edhe në raundin e 3 opozita nuk do ta marrë përgjegjësinë për të hyrë në proces për të propozuar kandidatë, për të regjistruar kandidatë me firma mbështetëse, një gjë është e sigurtë, në raundin e katërt do të zgjidhet presidenti apo presidentja me propozim që aty do të fillojmë dhe ne të regjistrojmë kandidatët e propozuar prej nesh”, u shpreh Balla.
Dy ditë më parë Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët se nuk i qëndruan besnik dokumentit të dakordësuar më herët për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve, ku sipas tij emri që do të çohej për votim në raundin e dytë duhet të kishte firmat e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.