Politika Presidenti Begaj nis vizitën në Kosovë

Presidenti Begaj nis vizitën në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, që përkon dhe me vizitën e parë jashtë vendit prej marrjes së mandatit si kryetar i shtetit.

Vizita nisi me ceremoninë pritëse nga presidentja Vjosa Osmani. Pritet që ata të kenë një takim kokë më kokë dhe më pas me delegacionet. Në orën 11:50 është planifikuar një deklaratë e përbashkët e dy presidentëve.

Pas takimit me kreun e shtetit të Kosovës, Begaj do zhvillojë takim me kryetarin e parlamentit Glauk Konjufca për të pasuar me takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe delegacionet e dy vendeve.

Në ditën e parë të vizitës në shtetin e Kosovës, Begaj do të zhvillojë homazhe tek varri i presidentit Rugova, vizitë në shtëpinë muze të familjes Jashari si dhe nderime para memorialit të personave të zhdukur.

Në ditën e dytë të vizitës me ftesë të Presidentit të Shqipërisë do të zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës takime me përfaqësues të partive politike, kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqi.

Kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me partitë minoritare, komandantin e KFOR-it, dhe trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë).

Vizita e parë zyrtare jashtë vendit, do të mbyllet me një takim me kryetarin e komunës së Prizrenit, dhe vizitën në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.