Sport Presidenti i Brazilit kundër Ancelottit: Të zgjidhë problemet e Italisë

Presidenti i Brazilit kundër Ancelottit: Të zgjidhë problemet e Italisë

Carlo Ancelotti do të jetë trajneri i ri i Brazilit duke nisur nga vera e vitit 2024. Tekniku italian synon të rikthejë Kupën e Botës në vendin amerikano-latin, trofe që “Selecaos” i mungon prej vitit 2002.

Të martën, Presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) njoftoi se trajneri aktual i Real Madrid ka arritur marrëveshjen për të qenë në stolin e 5 herë kampionëve të Botës për Kupën e Amerikës. Deri atëherë, trajneri i Brazilit do të jetë Fernando Diniz, tekniku aktual i Fluminenses.

Por, ka edhe nga ata që janë kundër Ancelottit dhe së fundmi presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ose thjesht Lula, thekson se do të ishte më mirë që italiani të merrej me problemet e kombëtares së tij, Italisë.

“Ancelotti më pëlqen, nuk është se kam diçka kundër tij, por di që nuk ka qenë kurrë trajner i kombëtares së Italisë. Pse të mos zgjidhë fillimisht problemet e vendit të tij pasi Italia nuk ka marrë pjesë në dy Botërorët e fundit.

Mua më pëlqen kreativiteti i Diniz, personaliteti i tij. Nuk është trajneri problemi, por fakti që nuk kemi cilësinë e lojtarëve që kemi pasur në kohët e kaluara.

Mua më duket shumë e thjesht të trajnosh në Europë me 11 futbollistë që i përzgjedh vetë, vështirësia është të vish në Brazil dhe të marrësh përsipër Corinthians. Jam kurioz të shoh se çfarë do të bënte Ancelotti me Corinthians”, u shpreh Lula.