Presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sassoli u shpreh sot se PE mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në fjalën e tij në Këshillin Europian, Sassoli deklaroi se, “ne mbështesim hapjen e menjëhershme të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Komisioni Europian është në favor të kësaj dhe ne do ta kemi të vështirë t’u shpjegojmë njerëzve të atyre vendeve pse po e vonojmë këtë gjë”.
“Kemi folur për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që janë dy vende që kanë kërkuar çeljen e negociatave. E dimë që ka qëndrime të ndryshme për këtë, por qëndrimi ynë është që t’u japin dritën e gjelbër. Ne mendojmë se nëse Bashkimi Europian kërkon sakrifica dhe ndryshime, dhe nëse ato sakrifica dhe ndryshime implementohen, ne duhet të mbajmë fjalën e dhënë dhe premtimet”, u shpreh ai.
Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është në qendër të axhendës dyditore të Samitit të krerëve të BE-së, që zhvillohet më 17-18 tetor në Bruksel.