“Mussolini? Deri kur nuk ka ndjekur Hitlerin, ka bërë gjëra të mira për vendin tonë”. Deklarata nuk është ajo e një ekstremisti të djathtë, por të Antonio Tajanit, presidentit të Parlamentit Evropian.
I intervistuar në Itali nga një emision radiofonik i quajtur “La zanzara” (Mushkonja), Tajani ndër të tjerat u pyet për mendimin që ai kishte për periudhën e fashizmit në Itali, dhe habiti të gjithë kur deklaroi se “deri kur nuk deklaroi luftë gjithë botës duke ndjekur Hitlerin dhe ligjeve raciale, ka bërë gjëra pozitive për vendin tonë, ka realizuar infrastrukturë, ka bonifikuar territorin. Duke parë gjërat konkrete të realizuara, nuk mund të thuash që nuk ka bërë gjë”.
Dhe shtoi se “mund të mos jesh dakord me mënyrat e tij, unë nuk jam fashist dhe nuk vlerësoj mendimin e tij politik. Por nuk mund të mohohet që ka ndërtuar stadiume, ura, rrugë, ka rimëkëmbur industrinë. Kur një person jep një gjykim historik duhet të jetë objektiv. Pastaj normalisht që ligjet raciale kanë qenë çmenduri, dhe lufta një vetëvrasje”.
Nuk u vonuan reagimet politike në Itali dhe në Parlamentin Evropian. Lideri i Socialistëve në PE Udo Bullmann shkruan në Twitter: “Dy orë pas lëvdatës ndaj Mussolinit, Tajani takon dy liderat e të djathtës Salvini dhe Meloni. Pas Orban, kjo është e ardhmja e Partisë Popullore Evropiane? Si mundet presidenti i Parlamentit Evropian mos të njohë natyrën e fashizmit?”
Tajani reagoi duke thënë se fjalët e tij po përdoren politikisht, dhe që ai është “antifashist”.