Nga Dritan Hila
Presidenti i ri është pasqyrim i situatës politike. Pritej që opozita nuk do të ishte në gjendje të prodhonte një kandidaturë. Por që nuk do ishte në gjendje të prodhonte edhe një emër, kjo tregon gjendjen dramatike të saj. Një emër nga shoqëria civile, sa për t’i lënë dopio gjashtën në dorë Ramës, mund ta shqiptonin. Por mungesa qoftë edhe e një emri, tregoi se është dritëshkurtër dhe meskine.
Që pjesa e kryesuar nga Berisha do të shkojë të votojë tregon se fatkeqësisht është i vetmi në atë krah që ka mendim politik por që i vlen vendit po aq sa rezolutat që ia hedhin në kosh të plehrave. Kurse braktisja e votimit nga grupimi i Alibeajt, është dëshmi se këta nuk kanë lidhje fare me politikën.
Presidenti i ri është ai profil që donte Edi Rama por edhe që pasqyron situatën ku është vendi. Jemi në kushtet kur opozita është vetëshpartalluar. Ndaj Rama nuk kishte pse i hapte punë vetes që t’ju gjente një president që ta pëlqenin edhe kundërshtarët, apo të vendoste dikë që t’i bënte zhurmuesin.
Duhet thënë se është presidenti me profilin më të ulët publik në 32 vite te tranzicionit. Ka një karrierë që vjen nga një fushë e ngushtë si mjekësia ushtarake dhe nga një post si ai i Shefit të Shtabit të fituar me siguri për mungesën dramatike që ka ushtria në oficerë specialitetesh dhe cicmiceve të politikanëve që janë marrë me atë institucion. Mjaft të mendosh se ka vite që komandanti i flotës emërohet një oficer që vetëm detar nuk është.
Si fillim presidentit do të na duhet kohë t’i njohim stofën. Mungesa e një profili publik dhe karriere politike do ta pengojnë të orientohet në xhunglën shqiptare. Shpresojmë ta mësojë sa më shpejt notin dhe urojmë të ketë kurajën të thotë “Jo” kur duhet.
Njëkohësisht duhet të gjejë një mënyrë të sqarojë akuzat që i ngre opozita e cila më shumë se akuza prodhon të shara si Maria e Reçit. Por që gjithsesi publiku meriton të drejtën e informimit ose përgënjeshtrimit./dritare.net