Politikë, biznese, media, jetë personale, por mbi të gjitha sport. Silvio Berlusconi njihet si njeriu që ndryshoi futbollin. Vizioni i tij si biznesmen i suksesshëm bëri që “Kavalieri” të realizonte një revolucion të vërtetë në botën e futbollit.
Prej dimrit të vitit 1986 kur u bë pronar i Milanit, Berlusconi solli një ndryshim që ndikoi edhe në nivel global. Në 31 vjet te klubi kuqezi, ai fitoi 29 trofe: prej tyre 26 kupa i fitoi si president në harkun e dy dekadave dhe 3 në zv.president në 11 vitet e drejtimit të Gallianit.
Ishte presidenti më jetëgjatë dhe më fitues i historisë së Milanit. Në total investoi rreth 900 milionë euro te Djalli. Në sezonin e parë në klub, konceptoi prezantimin Hollywoodian të lojtarëve, që zbritën në Arenën e Milanos me helikopter.
Revolucioni i vërtetë nisi me emërimin e thuajse të panjohurit Arrigo Sachi në krye të stolit në sezonin 1987-’88. Pas titullit kampion të fituar në edicionin e parë, vitin e ardhshëm Milani u ngjit në majën e Europës dhe të botës, duke fituar Champions dhe Kupën Interkontinentale.
Mes trofeve të shumtë, Milani i Berlusconit e fitoi 8 herë Serie A, ngriti 5 herë Champions, mori dy kupa Interkontinentale, si edhe regjistroi një triumf në Botërorin e Klubeve. Në të gjithë këtë sukses ndikuan blerjet e bujshme dhe lojtarë që fituan Topin e Artë si Rud Gullit, Van Basten, Weah, Shevchenko e Kakà.
Lamtumira nga Milani në prill të vitit 2017, ku e shiti klubin te kinezët nuk e largoi dot Berlusconin nga pasioni për futbollin. Në 2018-ën ai bleu Monza, skuadër që luante në Serie C dhe së bashku me Gallianin në vitin 2022 arritën ta ngjisnin për herë të parë në histori në Serie A.
Ekipi befasoi në elitë dhe e mbylli sezonin në mesin e renditjes. Ajo ishte mrekullia e fundit e Berlusconit, njeriut që ndryshoi futbollin.