Presidenti Ilir Meta iu rikthye këtë të premte konferencave të përjavshme për mediat ku shprehu shqetësimin e tij lidhur me vakancat në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese dhe kërkoi plotësimin dhe bërjen e tyre funksionale sa më shpejt, në respekt të kushtetutës së vendit.
Kreu i shtetit reagoi ashpër ndaj nismës së mazhorancës për ligjin organik që kornizën kompetencat e presidentit teksa kërcënoi se mund të shpërndante parlamentin edhe përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, mazhoranca është e paaftë për ta shkarkuar gjë që e ka dëshmuar me komisioni e dështuar të ngritur për këtë qëllim.
“Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament jo kushtetues që e pengon presidentin të përmbushë misioni e tij në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mazhoranca e ka provuar me presidentin; 3-0, sa herë ka vajtur në Venecia.
Mos e ktheni betejën me presidentin, se ky është presidenti i 2 marsit, jo i LSI. Populli është aty dhe kërkon shpërndarjen e parlamentit. Duan të shpërndahen para 25 marsit? Le të më shkarkojnë, kush i pengoi këta të më shkarkonin mua?” tha presidenti.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta linte postin e presidentit për atë të kryeministrit nëse partia e tij, LSI apo koalicioni opozitar rezulton fitues në zgjedhjet e 25 prillit, kreu i shtetit tha se është e njohur gatishmëria e tij për të lënë çdo post në interes të vendit, po shtoi se ky nuk është rasti. Z. Meta siguroi se do të qëndrojë në presidencë deri në ditën e fundit të mandatit të tij, më 24 korrik të vitit 2022.
“Dua t’ju siguroj se në të gjitha rastet që ky institucion deri në 24 korrik 2022 do të jetë kështjellë në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe kushtetutës së vendit. Këtë premtim që e kam dhënë do ta mbaj. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe kur janë shtuar kushtet për integrimin e Shqipërisë, gjë që tregon se vendi po bën hapa pas”, tha presidenti.
Ai kërkoi nga mazhoranca t’i përmbahej pikë për pikë marrëveshjes së 5 qershorit e të mos përdorin ‘sebepin’ e listave të hapura për të devijuar prej saj. Në këtë pikë kreu i shtetit tha se ishte dakord me propozimin e opozitës për hapje 100 për qind të listave.