Presidenti i Republikës, Ilir Meta është rikthyer në vendin e tij të lindjes në Çepan të Skraparit. Meta gjithashtu ka kryer dhe vizitë në një prej familjeve të kësaj zone.
“Në këto javë të veçanta edhe komuniteti i Çepanit humbi një nga drejtuesit më të shquar dhe me kontribute të mëdha për shumë dekada z. Servet Basho. Evidentimi prej Tij i kontributeve të jashtëzakonshme që kjo trevë dhe Çepani në veçanti dha gjatë Luftës Antifashiste, mbeten me shumë vlerë edhe për të ardhmen. Sot vizitova djalin e tij Isain, për t’i shprehur ngushëllimet e mia, por dhe mirënjohjen që ruan traditat më të mira të familjes së tij dhe mbarë këtij komuniteti patriot dhe punëdashës”, shprehet Presidenti.
Vizita e Ilir Metës në Skrapar vjen në një ditë kur vendi ndodhet në izolim dhe kur pjesëmarrja në ceremoni mortore apo ceremoni të tjera janë të ndaluara. Vetëm pak ditë më parë Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Penal ku u përfshinë dënimet për shkelje në rastin e përhapjes së sëmundjeve negative, ndryshime që u bënë me konsensusin e Presidentit.