Aktualitet Presidenti serb, Vuçiç: “Jo negociata për rastin Morina”

Presidenti serb, Vuçiç: “Jo negociata për rastin Morina”

Presidenti Vuçiç tha se Serbia nuk do të negociojë në rastin e Ismail Morinës, sepse ajo nuk ka negociuar në rastet e shkelësve të ligjit, dhe se ka marrë tashmë atë që ai mendonte se ishte e nevojshme, kur është fjala për ekstradimin e tij në Serbi.

“Ne e kemi bërë punën tonë dhe të presin për vendimin”, u tha Vuçiç gazetarëve në Kragujevac, duke refuzuar të komentojë mbi raportimet e medias të cilat vazhdojnë të theksojnë se Shqipëria është duke punuar që ekstradimi të mos ndodhë, por vuri në dukje se “mediat shkruajnë çdo gjë”.

Morina aktualisht është në paraburgim në Dubrovnik, ku është arrestuar sipas fletë-arrestit ndërkombëtar serb, dhe më pas Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar ekstradimin e tij në Beograd.

“Lidhur me këtë çështje nuk kemi se çfarë të bisedojmë dhe as të negociojmë me askënd”, theksoi Vuçiç duke paralajmëruar se para shtetit serb janë ditë të vështira në prag të përvjetorit të operacionit “Stuhia” gjatë të cilit janë larguar qindra mijëra serbë nga Kroacia, pas krimeve që kishin kryer ndaj popullsisë së pafajshme kroate.

Gjykata e Dubrovnik ka dhënë një vendim për ekstradimin e Morinës, por avokati i tij e apeloi çështjen për në Gjykatën Supreme, vendimi i të cilit pritet të jepet.

Ndërkohë në Beograd vazhdon procedimi kundër Morinës për shkak se me dron  ngriti flamurin e Shqipërisë etnike mbi fushën e futbollit ku po luhej ndeshja Serbi-Shqipëri. Gjykata serbe e akuzon për veprën penale të nxitjes së urrejtjes fetare dhe nacionale.