Nga Leonard Karaj – Nëse Ilir Meta(j) rezulton se ka qenë spiun, atëherë ky është skandali më i madh i politikës shqiptare, që prej 1991-it. Imagjinoni pak: deputet, Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Socialiste, Zv-kryeministër, Kryeministër, Ministër i Jashtëm; Ministër i Ekonomisë; Kryetar Parlamenti, President dhe në fund…. spiun! Për deduksion, të paktën që prej 2013-ës, kur Ilir Meta ka mbajtur dy nga postet më të larta, ky vend prezumohet se paska qenë në dorën e një sigurimsi, të shkuarën e të cilit, Edi Rama e paskësh mësuar vetëm më datë 26 korrik 2022 (dy ditë pasi Meta la presidencën)!!!
Dhe për ta shfaqur këtë tragji-komedi para shqiptarëve, kreu i qeverisë ripërdori dhunshëm (por me dëshirën e saj), një pjesë të të ashtuquajturës opozitë, e cila fatkeqësisht po tejkalon çdo parashikim, aq sa hera herës të zë malli për atë “opozitën e kërpëratës”, të 2019-2021 (edhe atë peshqesh nga Basha).
Idiotizmi ose më keq akoma, dashakeqësia i gjoja “pro-amerikanëve”, i gjoja “të papërlyerve” gjatë 2005-2013, megjithëse 90% e tyre (Basha, Alibeaj, Gështenja, Xhaferri, etj, etj), kanë pasur poste të larta në atë periudhë, nuk është votimi në thelb, por fakti që votuan një ligj fiks siç e deshi Rama. Një ligj që është “qepur” enkas për një opozitqr si Ilir Meta. Një ligj që hap dosjet për bashkëpunëtorët dhe jo për xhelatët dhe rekrutuesit. Qesharakë deri në marrëzi. Ndaj, ngado që ta kthesh këtë histori, Rama dhe çka ai përfaqëson, ka konsumuar një skandal sa grotesk, poaq edhe mizor, duke pasur në krah (dhe jo për herë të parë, por për të disatën herë), edhe “mikun”, Lul Basha me siamezët e tij në Kuvend.
Nëse Meta paskësh qenë spiun, kujt po i kërkohet llogari!? Kush ishte personi që e bëri Metën Kryetar Parlamenti? Po President? Kush do duhej ta kontrollonte këtë të fundit dhe nuk e bëri ose bëri gjoja sikur e bëri? Dhe si është e mundur që kjo gjë doli në pah vetëm pak ditë pasi Meta u largua nga presidenca dhe vetëm pasi ai iu rikthye (frikshëm për disa që shpresonin se e kishin nxjerrë në pension), aktiv në jetën politike?! Edhe njeriu me inteligjencën më mediokre, edhe militanti më i sëmurë i PS-së, e di fare mirë përgjigjen: Edi Rama.
Kreu i PS-së edhe një herë ka treguar se është shumë hapa përpara në luftën politike me kundërshtarët e tij, madje edhe duke i përdorur si letër higjienike, ashtu sikundër pat bërë me një pjesë të konsiderueshme të tyre që prej 2017-ës.
Edhe një herë një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike, me dashje të plotë u bënë paterica e Kryeministrit në lojën e këtij të fundit për të blinduar pushtetin e tij. Po, besojeni apo jo, historia e shkurtër na tregon se në të gjitha rastet kur PD-ja ka bashkuar votat me Ramën, ajo ka humbur në mënyrë të frikshme.
Kujto marsin e 2008-ës kur Rama joshi mjaftueshëm Berishën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ai kod, që sot i jep përparësi absolute të majtës. Kujto 17 majin e 2017-ës, ku pas marrëveshjes Rama-Basha, PD shënoi një nga humbjet më spektakolare të 3 dekadave të fundit. Kujto qershorin e 2020 ku sërish marrëveshja e Bashës me Ramën solli ndalimin e koalicioneve dhe për rrjedhojë sërish humbjen e PD-së. Tani, një tjetër autogol i demokratëve, një pjesë e të cilëve qartazi po duan ta mbajnë me zor Ramën në pushtet.
Është fakt i pakundërshtueshëm se dobësimi i Partisë së Lirisë (gjithnjë nëse Meta del jashtë loje) është vetëm në dobi të PS-së. Elektorati i PL-së ka qenë dhe është kryesisht (për të mos thënë tërësisht) i majtë. Ishte ky elektorat që ndikoi në 2005-ën që PS-ja të dilte opozitë. Ishte ky elektorat që bëri Ramën Kryeministër në 2013-ën. Ishte ky elektorat që i dha 110 mijë vota opozitës në 2021, të cilat do të sillnin edhe 10-11 deputetë nëse Basha do të ishte treguar mjaftueshëm politikan dhe pragmatist dhe të kishte bërë një koalicion real me LSI.
Nuk ishte aspak e rastësishme, që gjatë gjithë fushatës elektorale të vitit të shkuar, “rilindasit” u përqendruan vetëm tek elektorati i LSI. As që donin t’ia dinin për të joshur djathtas. Madje që prej 2017-ës motoja e “rilindasve” ka qenë: “godit LSI”!!
Në këtë kontekst, afërmendsh se një tkurrje e Partisë së Lirisë çon vota në hambarin e PS-së, dhe demokratët, ose për shkak të injorancës organizative ose për mungesë pragmatizmi, do të vijojnë që të mbeten opozitë. Është fakt i pakundërshtueshëm se sot dhe deri në një të ardhme të afërt, edhe sikur PD të jenë 100% e bashkuar nuk vjen kurrë në pushtet vetëm me votat e veta tradicionale. Përjashto 1992, as në kulmin e vet, në 2009, PD-ja nuk arriti të merrte më shumë se 70 deputetë (përfshi këtu edhe Mediun, Ndokën dhe Dash Shehin), ndaj për të ardhur në qeverisje i duhet edhe opozitari më fundor dhe jo më, një parti si e Metës, me peshë të konsiderueshme elektorale.
Kësisoj është sa e çuditshme po aq edhe e pakuptueshme sesi 18 deputetë të PD-së, në vend që të afrojnë me çdo kusht çdo zë kundër kësaj mazhorance, bashkojnë votat me atë të cilin nga mëngjesi deri në darkë i thonë: “i korruptuar”. Edhe një herë grupimi “Alibasha” tregoi qartë se synimi nuk është rrëzimi i Ramës, por mbajtja peng e opozitës. Dhe deri tani fatkeqësisht ai kanë dalë mbanë…