E ndodhur pa dashur në mesin e një incidenti që ka marrë përmasa diplomatike ndërkombëtare Athina zyrtare që ka pohuar se ka pasur presione nga SHBA për çështjen e një çisterne iraninane në Mesdhe, ka deklaruar përmes zv/ministrit të Jashtëm të saj se nuk do lejojë ankorimin e saj në një prej porteve greke.
“E vërteta është se kemi përballuar presione. Por nuk jemi të predispozuar të lehtësojmë rrugëtimin e kësaj anijeje drejt Sirisë. Ky është një mesazh që e kemi dërguar tek të gjithë”- tha Mihalis Varvitsiotis, zv/ministër i Jashtëm i Greqisë.
Bëhet fjalë për çisternen “Adrian Darya 1”, e konfiskuar para disa javësh nga marinsat britanikë, jashtë Gjibraltarit, pasi dyshohej se po transportonte naftë në Siri . Autoritetet portuale atje, refuzuan një kërkesë të SHBA për të ndaluar anijen dhe e lejuan atë të largohet, pasi morën garanci nga Irani, se nuk do të shkarkonte 2 milion fuçite me naftë që transportonte në portet siriane.
Diplomati grek ka theksuar se anija është shumë e madhe për të hyrë në ndonjë nga portet e Greqisë, dhe se nuk mund të shkarkojë ligjërisht naftën e saj të papërpunuar në vlerë 130 milion dollarë në rafineritë e vendeve të BE.
Por ndërsa anijes i është dhënë leja për t’u larguar, ajo ka deklaruar në vazhdim si destinacion, portin grek të Kalamatës dhe menjëherë kanë pasuar dy paralajmërime të ministrit të jashtem amerikan Maik Pompeo.
“Shtetet e Bashkuara kanë një sërë sanksionesh që ndalojne dërgimin e naftës se papërpunuar në çdo vend. Ne kemi bërë të qartë se cilido që e prek atë anije, kushdo që e mbështet atë, kushdo qe lejon ankorimin e saj rrezikon të ndeshkohet me sanksione nga SHBA”- Mike Pompeo, Sekretari i Shtetit Amerikan.
Paralajmërimi i SHBA-së përveç Greqisë ju referohet të gjitha porteve të Mesdheut, në një moment të rritjes së tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, si dhe nën hijen e disa incidenteve të fundit në Gjirin Persik,vend nga ku kalojne rreth 20% e anijeve çisternë që transportojnë naftë në mbarë botën.