Hungaria po ushtron presion ndaj Komisionit Europian që të njohë dhe pajisë me certifikata sigurie Covid edhe shtetasit që janë të vaksinuar me vaksinat lindore të pautorizuara nga Agjencia Europiane e Barnave, EMA.
Lobimi i Budapestit është shtrirë në të gjithë institucionet vendimmarrëse të Brukselit, përfshirë këtu edhe Parlamentin Europian. Nga popullsia totale prej rreth 9.8 milionë banorësh, Hungaria ka vaksinuar rreth 2 milionë qytetarë të saj me doza të vaksinës kineze Sinopharm dhe asaj ruse, Sputnik V.
Për shkak të diversitetit të madhe të programit të vaksinimit, ku veç këtyre dy vaksinave, Hungaria ka autorizuar për përdorim urgjent edhe vaksinën tjetër kineze, CanSino, Budapesti i kërkon Komisionit që të përfshijë në sistemin e certifikatave të sigurisë së unionit edhe të vaksinuarit me vaksina lindore.
Komisioni i ka kthyer përgjigje Hungarisë duke deklaruar se propozimi po shqyrtohet nga një panel ekspertësh i komiteteve shëndetësore që operojnë brenda këtij institucioni, që në përfundim të shqyrtimit të kërkesës do të dalin me një rekomandim.
Sipas asaj që përflitet, propozimi i Komisionit do të jetë një rrugë e ndërmjetme, duke pajisur me certifikata sigurie Covid vetëm ata që marrin një dozë të tretë vaksine, me kusht që ajo të jetë e autorizuar nga EMA.
Paneli i ekspertëve të ngritur përbëhet nga përfaqësues hungarezë dhe nga autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Hungaria ka nisur dhënien e dozave përforcuese me Pfizer për personat me probleme shëndetësore dhe të moshuarit. Aktualisht, rreth 100 mijë qytetarëve kanë marrë këtë dozë, mes të cilëve shumë janë të vaksinuar me Sinopharm dhe Sputnik V, që ishin dy vaksinat që hynë të parat në vend, që në mars të këtij viti.
Ndërkohë, një vendim pozitiv i Komisionit për përfshirjen në sistemin e certifikatave të sigurisë të personave të vaksinuar me vaksina të paautorizuara nga EMA do të ishte unifikues në të gjithë BE-në. Kjo do t’i hapte rrugë që pjesë e këtij sistemi të bëheshin edhe shtetasit shqiptarë të vaksinuar me Sinovac, apo Sputnik V.
Aktualisht, Komisioni ua ka lënë në dorë vetë vendeve anëtare që të pranojnë, apo jo vaksinat e paautorizuara nga EMA. Nga vendet e hapësirës Schengen, vetëm 8 njohin vaksinën Sinovac, ato janë: Austria, Finlanda, Greqia, Islanda, Holanda, Spanja, Suedia dhe Zvicra.