Iu bashkua Juventusit në ditën e fundit të merkatos, por Federico Chiesa u prezantua zyrtarisht vetëm sot, ndonëse gjatë këtyre ditëve ka zbritur disa herë në fushë me fanellën bardhezi dhe madje ka marrë pjesë edhe në golat e shënuar.
Në daljen e parë para mediave, Chiesa shmangu polemikat me Fiorentinën, duke falënderuar presidentin Commisso për trajtimin dhe mbi të gjitha drejtuesit e klubit bardhezi, për sakrificën e bërë për blerjen e kartonit të tij.
Transferimi te Juve – “Falënderoj shoqërinë që ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme ekonomike për të më sjellë këtu. Jam vërtet krenar që do të jem pjesë e këtij klubi dhe do të luaj me këtë fanellë”.
Kërcënimet në rrjetet sociale – “Nuk dua të bëj asnjë polemikë për këtë. Ata që kërcënojnë në rrjetet sociale, thjesht shprehin një zili personale dhe nuk janë tifozë të futbollit”.
Ndarja nga Fiorentina – “Dua të falënderoj klubin e Fiorentinës dhe qytetin e Firences, pasi për 14 vite jam rritur shumë si sportist dhe si njeri aty. Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e presidentët Della Valle e Commisso, por mbi të gjitha tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë, në të mirë e në të keq”.
Akuzat e Commissos – “Jam sjellë gjithmonë mirë me klubin dhe nuk dua të bëj polemika. Ky diskutim mbyllet këtu njëherë e mirë”.
Planet e trajnerit Pirlo – “Trajneri kërkon diçka precize në fushën e lojës, por për momentin skuadra është në rindërtim dhe është i pranueshëm ndonjë hap fals. Megjithatë mund t’u siguroj që ne futemi në fushë gjithmonë për të fituar dhe jam i bindur që sa më shumë kalon koha, aq më të mira do të jenë loja dhe rezultatet”.
Debutimi në Champions – “Luaja për herë të parë në këtë kompeticion dhe ishte diçka e jashtëzakonshme. Debutova në Kiev, ku bëmë një ndeshje mjaft të mirë, ndonëse me pas me Barcelonën zhgënjyem disi. Megjithatë shumë shpejt do të marrim rezultatet që meritojmë”.
Pozicioni i preferuar në fushë – “Mund të luaj si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë, ndaj i takon trajnerit të vendosë. Unë jam i disponueshëm të bëj çdo gjë që kërkon ai në fushë”.
Takimi me Cristiano Ronaldon – “Po e pres me padurim, sepse deri tani as nuk e kam takuar dhe as nuk kemi pasur mundësi të përshëndetemi. E presim të rikthehet, pasi është një kënaqësi të luash me të në fushë”.