Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është prezantuar sot nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
Proda u prezantua në një ceremoni të shkurtër, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit e tjerë të Policisë së Shtetit.
lir Proda u betua në përpara trupës policore për detyrën e tij të re.
Ilir Proda: Në këtë çast solemn në respekt të veprës të të gjithë brezave të Policisë shqiptare, në shenjë nderimi, detyrimi për gjakun e punonjësve të policisë të rënë dhe të plagosur në krye të detyrës, në emër të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të vendosur për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike dhe për të garantuar zbatimin e ligjit, në nderim tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem!
Gjatë fjalës së tij, Proda ka thënë se procesi i konkurrimit për drejtuesit e policive të qarqeve do të bazohet vetëm mbi meritën e çdo kandidati teksa ka shtuar se nuk do të ndikojë asnjë faktor tjetër.
Ilir Proda: Një falenderim që më ka dhënë kryeministri dhe ju ministër për të ushtruar këtë detyrë me përgjegjësi të lartë. Duke qenë se jemi në procese të reja konkurruese, garantoj që ato do të jetë të bazuara mbi performancën që do të ketë çdo drejtues që do të kandidojë dhe asnjë faktor tjetër nuk do të ndikojë.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka thënë se ditën e sotme hapet një kapitull i ri në rrugën e rritjes dhe çuarjes në një standardi më të lartë të Policisë së Shtetit, atë evropian.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha: Të nderuar drejtues të Policisë. Sot hapim një kapitull të ri në rrugën e përpjekjeve për t’u rritur dhe zhvilluar dhe në mendësinë institucionale. Besojmë se do të sjellë një dinamikë tjetër në strukturën e Policisë, shpreh bindjen se në fund të këtij procesi, kushtet për realizimin e synimit, krijimin e një Policie bashkëkohore si një strukturë e denjë e krahasueshme me vendet evropiane.
E vetmja vështirësi, standardi në të cilën është ngritur Policia e Shtetit që duhet të vijë në rritje. Ambicia jonë si pasojë e një analize të thelluar të potencialeve që kemi dhe mundësive për t’u ngritur në një nivel tjetër. Presim qëndrueshmërinë e rezultateve, procesi i reformave do të zhvillohet duke marrë në konsideratë rezultatet e çdokujt që ky proces të jetë sa më i dobishëm. Ne duam të arrijmë ato objektiva që i konsiderojmë brenda rrezes së mundësive tona. Emërimi i drejtorit të ri, hapi i parë që do të pasohet nga një sërë ndryshimesh.
Në procesin e përzgjedhjes të të gjithë stafeve nuk do të ndikojnë faktorë tjerë përveç meritës dhe profesionalitetit. Dua që sa më shumë të formatojmë Policinë e Shtetit, atë që tashmë ka arritur në një standard shumë të lartë. Ambicia jonë për të pasur polici të standardeve evropiane, për standardet tona për të ardhmen. Angazhimi dhe kontributi i dhënë ndër vite nga të gjithë drejtuesit e policisë do të marrin vlerat e duhura. Dorëzimi i stafetës në duart e një gjenerate të re të punonjësve të policisë. Të nisim punën pa humbur kohë.
Ceremonia zyrtare do të zhvillohet në një moment të dytë pasi të mbarojë i gjithë procesi i konkurrimit për të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit.